Një ditë pas grabitjes spektakolare në pisten aeroportit të Rinasit nuk ka asnjë masë shtesë të sigurisë.

“Në portën pas krahëve të mi të martën hynë grabitësit që në avionin e linjës Tiranë-Vjenë morën disa milionë euro. Nga pamjet duket se kushtet e sigurisë përsëri janë të dobëta. Aty duken edhe dy blloqe betoni që presupozohet të pengojnë mjete apo persona që do tentojnë të hyjnë në pistë. Këto mjete nuk ishin efektivë një ditë më parë, ndërsa nuk duket që kompania që menaxhon sigurinë e aeroportit të vetëm në Shqipëri të ketë marrë masa shtesë”.

Këto blloqe u lëvizën me lehtësinë me të madhe nga grabitësit. Ato u lidhen me zinxhirë dhe u tërhoqën me këtë furgon, me të cilin autoret u futën në pistë. Të maskuar dhe të armatosur rëndë, ata morën thasët me para në kargon e avionit. Më pas janë larguar duke përshkruar të gjithë pistën e Aeroportin dhe dalë nga porta që përdoret nga zjarrfikëset.

“Nga kjo portë që ndodhet në krahun tjetër të pistës, furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” ka dalë e pashqetësuar nga askush. Një ditë pas ngjarjes, edhe këtu nuk shihen të ketë masa shtesë. Nëse dikush do tentonte të hynte nga kjo portë në pistë nuk do ta kishte të vështirë”.

Mjafton të presësh këtë zinxhir dhe kaq mjafton për të thyer sigurinë e këtij institucioni të rëndësisë së veçantë. Ndërsa patrullat e kompanisë ICTS që menaxhon perimetrin e brendshëm të aeroportit duken herë pas here, kjo edhe për shkak të prezencës së medias.

Tv Klan kontaktoi zyrtarisht me punonjës të kësaj kompanie, të cilët nuk pranuan të bëjnë komente për ngjarjen. Ata na thanë se duhet të flisnim me vetëm koncesionarin e aeroportit, të cilët nuk iu përgjigjën thirrjeve për të dhënë një koment. Ndërsa Policia e Shtetit zyrtarisht sqaroi se nuk ka asnjë përgjegjësi për sigurinë e brendshme të aeroportit, pasi kështu e parashikon ligji.

Tv Klan