Asnjë ndryshim, vetëm tregti me Kinën

Asnjë ndryshim, vetëm tregti me Kinën

10:10 09/09/2019

Njëmbëdhjetë marrëveshje dhe disa fjalë paralajmëruese për Hong Kongun: Me Kinën, Gjermania luan me kujdes dhe me taban të dyfishtë. Pikërisht tani duhet pak guxim nga Merkeli, thotë Maximiliane Koschyk.

Si mund të matet suksesi i një takimi të nivelit të lartë midis Gjermanisë dhe Kinës? Me numrin e marrëveshjeve të nënshkruara? Në rrethanën sa herë është përmenduar fjala “të drejtat e njeriut”? Edhe pse kancelarja Angela Merkel u kthye nga Kina me njëmbëdhjetë marrëveshje bashkëpunimi në bagazh dhe u shpreh publikisht dhe privatisht për protestat në Hong Kong – vizita e Merkelit në Republikën Popullore nuk ishte e kënaqshme as për përfaqësuesit e ekonomisë dhe as për përfaqësuesit e të drejtave të njeriut.

Shoqata Federale e Industrisë Gjermane (BDI) paralajmëron, se anëtarët e saj përplasen me modelin ekonomik kinez në “konkurrencën e sistemeve”. Ai që kishte shpresuar për një dialog të vërtetë me shoqërinë civile kineze gjithashtu u zhgënjye: me avokatët e të drejtave të njeriut Merkeli u takua jo në publik.

Iluzioni i përhershëm i politikës së jashtme të Gjermanisë

Kur bëhet fjalë për Kinën, Gjermania vazhdon me ide të vjetëruara. Me politikën e tij socialdemokrate ndaj Lindjes (Ostpolitik) Willy Brandt-i vërtet kishte sukses gjatë Luftës së Ftohtë. Versioni liberal “ndryshim përmes afrimit” ndërkohë është kthyer në një iluzion të përhershëm të politikës së jashtme gjermane. Hong Kongu është shembulli më i mirë i mungesës së interesit të Kinës për një rend kushtetues liberal-demokratik.

Prandaj, do të nevojitej pikërisht këtu dhe tani ai guxim merkelian, me të cilin ajo pozicionohet herë të tjera kaq qartë në politikën e jashtme: në krizën e Ukrainës kundër Putinit dhe pas eksceseve seksiste të Trumpit. Por me Pekinin, Berlini nuk luan pa rrjetë mbrojtëse dhe pa taban të dyfishtë.

Qëndrimi i qartë nuk duket gjëkundi

Kjo në një kohë, kur ky qëndrim hezitues ndaj Kinës e dëmton autoritetin modest të politikës së jashtme të Gjermanisë. Nga partnerët e BE-së, qëndrimi ambivalent i Gjermanisë ndaj Kinës shihet në mënyrë kritike. Dhe pa mbështetjen e BE-së, Gjermania do të konsumohet pa shpresë midis Kinës dhe SHBA.

Kjo është pikërisht arsyeja pse po përpiqet Merkeli të bashkojë BE-në për një marrëveshje investimi të përbashkët me Kinën. Por për aq kohë sa Gjermania nuk pozicionohet qartë, as BE nuk do të gjejë qëndrim të përbashkët. Dhe po për aq kohë, mbetet e vështirë të negociosh një marrëveshje midis BE-së dhe Kinës.

Është fjala edhe për trashëgiminë politike të Merkelit

Sidoqoftë, Merkeli nuk ka shumë kohë për të. Vizita në Kinë mund të jetë një nga të fundit në Republikën Popullore. Pas përfundimit të mandatit të saj në 2021 ajo dëshiron të tërhiqet nga politika. Gjatë presidencës së saj të Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2020, e cila mendohet se është e fundit, ajo dëshiron të mbajë edhe një samit të përbashkët BE-Kinë në Gjermani. Deri atëherë, ajo duhet të zhvillojë një qëndrim të qartë ndaj Kinës. Për Merkelin, e cila një Gjermani evropiane e bëri lajtmotivin e mandatit së saj, do të ishte tragjike, po të luante me këtë sjellje./DW- Maximiliane Koschyk

LAJMET
Të ngjashme
UKT