Në Bruksel ka përfunduar takimi mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë dhe zyrtarëve evropianë, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga BE-ja, por përveç diskutimeve për dallimet që kanë palët, asnjë vendim nuk është arritur.

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i ngarkuar me çështjen e dialogut, tha se në takim është diskutuar për marrëveshjet e arritura deri tani në kuadër të dialogut dhe për vërejtjet që kanë palët në lidhje me zbatimin e tyre.

“Ne kemi parashtruar ato vërejtje për marrëveshjet në lidhje me hapat e deritanishëm të Serbisë, përshembull për marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit, njohjen e diplomave, lirinë e lëvizjes, pastaj marrëveshjen e fusnotës, pasi kemi pa që pala serbe nuk i ka përmbushur obligimet e saj”, tha Bislimi.

I dërguari i posaçëm i BE-së për çështjen e dialogut, Mirosllav Lajçak, i quajti përmbajtësore diskutimet. Ai fillimisht kishte zhvilluar takime të veçanta me të dyja delegacionet, të martën me të Kosovës dhe të mërkurën me të Serbisë, ndërsa më pas është mbajtur takimi tre-palësh mes tij dhe zyrtarëve nga të dyja delegacionet.

“Diskutimet të gjerë për elementet e dialogut, marrëveshjet e kaluara, çështjet aktuale dhe hapat e ardhshëm në drejtim të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Bisedimet e sotme mes delegacioneve negociuese janë të parat në këtë nivel që nga takimi i parë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 15 qershor.

Më herët ishte thënë se delegacionet do të përgatisin edhe mbajtjen e takimit të ardhshëm mes dy liderëve, i paraparë për në fund të muajit korrik, por zëvëndëskryeministri Bislimi tha se për këtë çështje do të diskutohet gjatë javës së ardhshme në formën online.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011, si dialog për çështje teknike, për të evoluuar më pas në dialog të nivelit politik.

Palët nuk po arrijnë pajtim në pothuajse asgjë, përveç në disa aspekte sa i takon çështjes së të pagjeturve.

Derisa Kosova ia përmend Serbisë disa ngecje në zbatimin e një sërë marrëveshjeve, pala serbe insiston më së shumti në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është arritur në kuadër të dialogut të Brukselit, në vitin 2013, e cila marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Në vitin 2015, sërish është arritur një marrëveshje shtesë lidhur me formimin e Asociacionin, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vlerësuar që shumë pika të kësaj marrëveshje nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e vendit.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjen se a ka ajo ndonjë propozim për zgjidhjen e çështjes së Asociacionit, të cilën do ta parashtrojë në dialog me Serbinë, ashtu siç ka kërkuar Bashkimi Evropian. Por, nuk ka pranuar përgjigje.

Të hënën, më 5 korrik, Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Mathew Palmer, ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është obligim të cilin e kanë marrë institucionet e Kosovës dhe duhet ta zbatojnë. Ai ka theksuar që “ekzistojnë mekanizma përmes të cilave Kosova mund të zgjidhë këtë çështje në përputhje me Kushtetutën e vet”.

Arsim Bajrami, profesor i të Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “pala kosovare, paraprakisht do të duhej që derisa të vendoset në tavolinë çështja e Asociacionit, t’i kryejë detyrimet në raport me Asociacionin. Ta rishikojë statutin, ta harmonizojë sipas gjetjeve të Gjykatës Kushtetutese, ta dekretojë dhe me atë version të rishikuar, të shkojë në bisedimet finale”, thotë Bajrami.

Më herët, James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Londrës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Kosovës dhe Serbisë i duhet një marrëveshje përfundimtare dhe jo vazhdim i dialogut në formatin e Bashkimit Evropian.

Çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po bëhet sikurse Qipro. Unë e kam parë se çfarë ka ndodhur me dialogun në Qipro. Është humbje kohe, ata po zhvillojnë dialog qe 50 vjet. Juve ju duhet një marrëveshje përfundimtare. Ju duhet një ujdi gjithëpërfshirëse, sepse në Qipro kanë provuar kështu, me disa masa të ndërtimit të besimit, por gjithmonë kanë pasur mosmarrëveshje”, ka thënë ai./REL