Pavarësisht deklaratave të Presidentit të SHBA-së Donald Trump se negociatat për armëpushim në Ukrainë do të fillojnë “menjëherë”, nga Kremlini nuk ka një konfirmim.
Zëdhënësi Dimitry Peskov tha se Rusia dhe Ukraina nuk kanë planifikuar bisedime të mëtejshme të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftës mbi 3-vjeçare.
“Nuk ka asnjë plan konkret për takime të ardhshme. Palët nuk kanë rënë ende dakord”, u tha ai gazetarëve.
Presidenti Donald Trump madje tha se bisedimet e ardhshme do të zhvillohen në Vatikan.
Pas dy orë bisedime në Stamboll të premten e kaluar, Kievi dhe Moska ranë dakord vetëm për shkëmbimin nga 1,000 të burgosur lufte. Përveç këtij hapi, takimi nuk solli ndonjë përparim të rëndësishëm.
“Ndërkohë, Rusia po përgatit një ofensivë verore për të pushtuar më shumë rajone ukrainase”, thanë analistët e qeverisë ukrainase.
Ndërsa Presidenti Vladimir Putin tha të enjten se Rusia po krijon një zonë tampon përgjatë kufirit me Ukrainën.
“Forcat tona të armatosura po e kryejnë këtë tani detyrë. Pikat e zjarrit të armikut po shtypen. Puna po vazhdon“, tha Putin.
Ai foli për krijimin e një zone tampon disa ditë pas vizitës së tij në rajonin e Kurskut dhe telefonatës me Presidentin Donald Trump.
Gjatë telefonatës, të dy presidentët diskutuan perspektivat e zgjidhjes paqësore të konfliktit ukrainas.
Sipas një lajmi të gazetës “Wall Street Journal”, presidenti amerikan u ka thënë udhëheqësve europianë se Putini nuk do t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Kremlini tha të enjten se ky raport binte ndesh me njohuritë e tij.
Ndërkohë Parlamenti Europian votoi për të vendosur tarifa ndëshkuese për plehrat kimike dhe disa prodhime bujqësore nga Rusia dhe Bjellorusia.
Rritja e tarifave pritet të hyjnë në fuqi më 1 Korrik.
Klan News