Manastirliu: Së shpejti nisim vaksinimin edhe për të moshuarit në qendrat e kujdesit rezidencial

Manastirliu: Sot doza e dytë e vaksinës për 50 mjekët dhe infermierët e parë, së shpejti nisim vaksinimin edhe për të moshuarit në qendrat e kujdesit rezidencial

“Nga sot do të marrin dozën e dytë mjekët dhe infermierët e parë që kanë bërë vaksinën antiCOVID, ndërsa do të vijohet me vaksinimin e mjekëve dheinfermierëve në vijën e parë. Në javët në vijim do të vijnë fillimisht 10,000 dhe 30,000 doza dhe procesi i vaksinimit do të jetë i kombinuar dhe sapo të vijnë dozat e tjera do të fillojmë edhe me të moshuarit në qendrat e kujdesit rezidencial”.

Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu pas nisjes së procesit të vaksinimit me dozën e dytë të 50 mjekëve dhe infermierëve të parë të spitaleve COVID, në Stadiumin Air Albania.

Duke folur për vijimin e procesit të vaksinimit, Manastirliu u përgjigj: “Do të vijojmë me procesin e vaksinimit. Sigurisht që “Arena Kombëtare” është qendra e parë që ne kemi hapur për vaksinimin e përqëndruar. Por gjithashtu do të shtrihemi edhe në territor me qendra të tjera të vaksinimit të përqëndruar. Si edhe me vaksinimin kapilar në strukturat e qendrave shëndetësore, në momentin që do të kemi ardhjen e serive të tjera të vaksinave që pritet të vijnë qoftë nga Pfizer apo ashtu sikurse ju e dini do të kemi shumë shpejt të finalizuar një marrëveshje me AstraZeneca, për të marrë doza vaksine antiCOVID edhe nga kjo kompani”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë ka shpjeguar në një komunikim me gazetarët se procesi do të vijojë edhe me mjekë dhe infermierë që vaksinohen për herë të parë, përpos vijimit me dozën e dytë të atyre që tashmë janë vaksinuar.

Lidhur me përgatitjet për vaksinimin masiv, Manastirliu u shpreh: “Ne kemi vijuar punën për të bërë gati të gjithë bazën logjistike. Por nga ana tjetër edhe për të mundësuar trajnimin e personelit të cilët kryejnë vaksinën. Dhe është shumë e rëndësishme kjo fazë dhe ky proces. Tashmë kemi trajnuar jo vetëm vaksinatorët dhe mjekët që do të ndjekin procesin në Shkodër, në Vlorë, por gjithashtu në mënyrë kapilare në të gjithë vendin. Ne kemi në sistemin tonë shëndetësor rreth 1000 vaksinatorë dhe ndihmës vaksinatorë, të cilët tashmë janë të gatshëm për t’u përfshirë në këtë proces në momentin që do të kemi një sasi të konsiderueshme të vaksinave. Nga ana tjetër jemi të gatshëm që të përfshijmë në strukturat e vaksinimit edhe infermierë të tjerë të cilët janë në kalendarizimin tone”, tha Manastirliu.

E pyetur në lidhje me vaksinimin e popullatës, Ministrja e Shëndetësisë u përgjigj: “Plani ynë i vaksnimit përfshin të gjithë popullatën e rekomanduar për t’u vaksinuar. Ne jemi të përgatitur që të mbulojmë të gjithë popullatën sipas dozae të parashikuara. Kemi tre skenarë, ai më ambiciozi është të kryejmë brenda 14 muajve për vaksinimin e popullatës. Skenari i dytë është 18 muaj dhe skenari i tretë është 24 muaj. Sigurisht që ambicia jonë është që të vijojmë me skenarin e parë për të bërë të mundur sa më shpejt vaksinimin e populates”, tha Manastirliu.

Duke folur për variantet e reja të COVID19, Ministrja e Shëndetësisë u përgjigj: “ISHP, ashtu sikurse ju ka informuar, dërgon në mënyrë të vazhdueshme mostra të analizave, qoftë për mutacionet e reja që kanë dale, qoftë dhe për verifikimin dhe çertifikimin që i duhet në vazhdimësi për punën e tyre. Ky është një proces dinamik, deri më tani nuk kemi të identifikuar raste të varianteve të reja të Covid-19, por puna është duke vazhduar”, tha Manastirliu.

Duke u shprehur se jemi në një situatë delikate, Manastirliu ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të respektuar rregullat antiCOVID.

“Ne do të vijojmë me procesin e vaksinimit, por edhe njëherë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve për vigjilencë të shtuar, pasi jemi në një situatë delikate dhe duhet të bëjmë maksimumin tonë për të ruajtur masat e thjeshta, për të mbrojtur veten dhe të afërmit tanë”, tha Manastirliu.

Janë më shumë se 670 mjekë, infermierë që punojnë në spitalet Covid dhe personel në vijën e parë, të cilët janë vaksinuar deri tani. Nga sot janë duke marrë dozën e dytë, sipas atyre afateve kohore të përcaktuara, 50 mjekët dhe infermierët e parë, teksa paralelisht do të vijohet me vaksinime të reja të stafeve mjekësore në vijën e parë të betejës me COVID19./tvklan.al