ISHP: Jemi të rrezikuar, por i kemi të gjitha kapacitetet për t’i identifikuar

Teksa varianti indian e afrikan i koronavirusit ka mbërritur në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, edhe vendi ynë mbetet i ekspozuar. Sipas Shefes së Laboratorit të Virologjisë në ISHP, Iris Hasibra, deri më tani s’ka ende ndonjë rast të dyshuar në Shqipëri.

“Të ekspozuar jemi dhe e rëndësishme është që ne jemi të përgatitur ta identifikojmë në kohë reale. Dyshime laboratorike akoma nuk kemi, kemi monitorimin në terren nga skuadrat e epidemiologjisë të terrenit të cilat monitorojnë situatën në vazhdimësi, sidomos edhe me prurjet e udhëtarëve”, është shprehur shefja e laboratorit të Virologjisë në ISHP, Iris Hasibra.

Specialistja shprehet se laboratorët e ISHP janë në gjendje të identifikojnë dy variantet e reja të Covid-19, po ashtu sikurse për rastin britanik, studimet tregojnë që dhe varianti indian mbulohet nga vaksina.

 “Ne jemi të përgatitur nga ana e diagnozës laboratorike për të identifikuar këto variantet e reja sepse siç e dini tashmë dhe juve, viruset janë mikroorganizma të cilët vazhdimisht krijojnë mutacione. Varianti britanik është një variant i cili është deklaruar që nuk është rezistent ndaj vaksinës, pra vaksina e mbulon edhe këtë variant. Po bëhen studime edhe për variantin indian në Angli. Vaksina është e tillë që mbulon në proteinën spike që ndodhin mutacionet dhe atë përgjigje imunitare krijon. Kështu që me siguri edhe ky variant do të mbulohet nga  vaksina”, është shprehur ajo.

Duke marrë shkas nga hyrje-daljet e shtetasve kosovarë dhe maqedonas në vendin tonë, kryesisht për pushime, ISHP bën thirrje që qytetarët të tregohen të kujdesshëm.

Klan News