Vijon goditja e pandemisë, sektori me sytë nga turizmi spontan

Ndryshe nga koha para pandemisë ku në këtë periudhë 50 përqind e hotelerive ishin të prenotuara, aktualisht në Durrës nuk ka asnjë rezervim. Turizmi vendas e ai rajonal shihet si e vetmja mundësi për t’i dhënë një zhvillim këtij sektori.

Kryetari i shoqatës së hoteleri turizmit Durrës, Eduard Xhepa thotë se edhe për këtë sezon shpresat i mbajnë tek turizmi spontan.

“Turizmi në këtë sezon do jetë kryesisht me turistë vendas dhe të rajonit, do jetë spontan nuk ka prenotime. Po tentojmë t’i japim një karakter natyror turizmin, të gjithë ambientet e jashtme dhe turizmin e aventurës. Kjo është risi e jona për t’i dhënë siguri turizmit”. 

Operatorët turistik kërkojnë edhe mbështetjen e qeverisë me një paketë financiare lehtësuese.

“Mendoj që qeveria duhet të shohë një paketë mbështetëse, për turizmin sepse është një sektor që punësimin e ka të konsiderueshëm dhe ekonomia varet nga turizmi, PBB dhe eksportet janë të rëndësishme dhe duhet parë me kujdes që mos të preket caku i fundit”.

Vitin e kaluar turizmi u përball me vështirësi krijuar nga situata e pandemisë, ku hoteleritë punuan me 70 përqind të kapacitetit, në kushtet e mbijetesës.

Tv Klan