Për herë të parë pas 9 muajsh nuk shënohen humbje jete

Autoritetet e Shëndetësisë në RMV njoftojnë se sot për herë të parë pas 2 Shtatorit nuk ka patur asnjë viktimë nga Covid-19. Nga ky institucion thonë se virusi është larg mposhtjes, duke dhënë shpresë për përfundimin e agonisë. Ata apelojnë tek qytetarët që t’i respektojnë masat dhe të vaksinohen.

“Virusi është larg  mposhtjes, por kjo fitore e vogël na jep shpresë se jemi më afër përfundimit të agonisë. Sidoqoftë, ne duhet të vazhdojmë t’u përmbahemi masave dhe mënyra e vetme për të zvogëluar numrin e viktimave është të vaksinohemi në masë”.

MSH njofton se gjatë 24 orët e fundit janë bërë 3068 testime ndërsa janë regjistruar 8 raste të reja me Covid-19 në Shkup 3 raste, Tetovë 2, dhe Veles, Kërçovë dhe Ohër nga një rast.

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostifikuar me Covid-19 në vendin tonë shkon në 155.536, numri i personave të shëruar 149.628 i vdekjeve 5471 ndërsa raste aktive për momentin shënohen 437. 

Ndërkaq, në repartet infektive në Shkup dhe në spitalet në vend gjithsej mjekohen 105 pacientë me koronavirus dhe ka rreth 530 shtretër të lirë. Për shkak të numri të ulët të pacientëve me koronavirus, spitalet mbyllën një pjesë të kapaciteteve që kishin të bëjnë për covid pacientë. 

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se vaksinimi zhvillohet pa pengesa në të gjitha pikat në shtet, ndërsa interesimi për vaksinim dita ditës po rritet.

Sipas të dhënave të fundit, 48% e popullsisë mbi moshën 70 vjeç kanë marrë të paktën një dozë vaksine, 42% e popullsisë mbi moshën 65 vjeç kanë marrë të paktën një dozë vaksine si dhe 35% e popullatës mbi 60 vjet është vaksinuar me të paktën një dozë.

Klan Macedonia