Zero interes për turizmin kulturor gjatë pandemisë

Manastiri Ardenicës nuk u vizitua nga asnjë turist gjatë pandemisë. Interesi për të parë këtë objekt nuk ka qenë asnjëherë në pikën zero gjatë këtyre 30 viteve. 

“Manastiri Ardenicës është pika kryesore turistike e Lushnjes dhe për turistët që shkojnë drejt Jugut, kjo është një ndalesë e programuar në axhendat e tyre”.

Rruga drejt manastirit është e boshatisur dhe vetëm zukatjet e gjinkallave prishin qetësinë që të japin selvitë e vendosura në dy krahët e saj. Artizanët e zonës dhe shitësit ambulantë që qëndronin nëpër kalldrëm, për të tregtuar objekte të ndryshme, nuk janë më.

Dera e Manastirit qëndron e mbyllur. Brenda gjendet vetëm roja. Tregon se grupi ynë i xhirimit është i pari që po hyn këtu prej 1 muaji, që prej fillimit të pandemisë.

“Kisha Lindja e Shën Mërisë është i vetmi vend në manastir që lejohet të vizitohet nga turistët, por kanë kaluar disa muaj që këtu nuk kanë hyrë as turistët vendas dhe as ata të huaj”. 

Vizitorët e vetëm që mund të ndeshësh këto ditë, janë ata që preferojnë ushqimet e lokaleve të ngritura nëpër kodrat e zonës. Manastiri i Ardenicës i përket Shekullit të 10 Pas Krishtit dhe për vlerat e saj arkitekturore dhe historike është kthyer në një muze të hapur për të gjithë.

Në ambientet e kishës ka kryer kurorëzimin e martesës së tij heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Tv Klan