Operatorët turistikë nuk kanë lidhur kontrata me rojet e plazhit. Gjatë takimit me Task Forcën e Turizmit në Velipojë, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se jetët e humbura gjatë ditëve të fundit nën bregdetin shqiptar janë përgjegjësi e pushtetit vendor.

“Task Forca e drejtuar nga agjencia kombëtare e bregdetit së bashku me institutin e higjienës, agjencinë e Zonave të Mbrojtura dhe inspektorati i Turizmit do të kontrollojnë çdo pëllëmbë të plazhit, duke vendosur gjoba, duke kërkuar zbatimin e këtyre kontratave të cilat nuk zbatojnë vendimin e këshillit të ministrave dhe duke kërkuar qartazi jo vetëm operatorëve që kanë marrë për të kryer një biznes të caktuar por duke iu drejtuar drejtpërsëdrejti edhe kryetarëve të bashkive. Është gjëja më e rëndë që mund të ndodhë por që drejtpërsëdrejtë penalizon të gjithë ata funksionarë lokalë apo qendrorë të cilët nuk zbatojnë VKM-në. Jetë të humbura në plazh të cilat fatkeqësisht kanë ndodhur edhe në javën e kaluar janë akuzë e drejtpërdrejtë për të gjithë ne që kryejmë funksione shtetërore”.

Sipas Klosit, rojet e plazhit të trajnuar në vendin tonë po largohen për punësim në Mal të Zi, për shkak të kontratave të munguara me operatorët turistikë shqiptarë. Ministri kërkoi zbatimin e VKM edhe për ndarjen e plazheve publik-privat, si dhe detyrimeve të tjera për stacionet e plazhit.

Tv Klan