Asteroid që vjen nga një sistem tjetër, i cili mund të ketë dy diej. Në këtë përfundim kanë arritur shkencëtarët, për të cilët ky trup i pazakontë qiellor i pagëzuar me emrin “Oumuama”, ka hapur një dritare të re në studimin e planeteve në sisteme të tjera diellore.

Asteroidi misterioz Oumuamua ka mbërritur nga një tjetër sistem planetar. Bota nga e cila mbërrin me shumë mundësi ka dy diej, gjë që shpjegon edhe formën e tij cilindrike të stërgjatur.

Ky është konkluzioni i shkencëtarëve të cilët prej muajsh po studiojnë asteroidin e çuditshëm. Sipas tyre, pikërisht forma e tij mund të jetë si pasojë e përplasjeve mes dy forcave gravitacionale të dy yjeve përgjatë procesit të lindjes së planeteve. Si rrjedhojë, trupi qiellor mund të jetë si një tullë e sistemit të vet planetar që është nxjerrë jashtë tij gjatë fazës së krijimit. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi nga studimi i tij mund të kuptojmë si krijohen planetët në sistemet e tjera.

Asteroidi është rreth 400 metra i gjatë, me ngjyrë të kuqërremtë dhe është vrojtuar për herë të parë në 19 Tetor 2017. Udhëton me shpejtësi marramendëse prej 30 km/sec.

Shkencëtarët pas këtij rasti kanë mbërritur në konkluzionin se 36% e sistemeve planetare me dy diej janë në gjendje të nxjerrin jashtë orbite asteroidët për shkak të përplasjeve gravitacionale mes dy yjeve. Duke u bazuar në këtë, më shumë se ¾ e asteroidëve që qarkullojnë në hapësirën ndëryjore mbërrijnë pikërisht nga sisteme me dy diej.

Klan Plus