Deri tani, nuk është raportuar asnjë rast me komplikacione

Vaksina AstraZeneca që po përdoret në Shqipëri për vaksinimin e mësuesve nuk është nga i njëjti lot i pezulluar në disa vende të Europës. Specialistja e ISHP, Iria Preza sqaron për Tv Klan, se nga afro 1300 vaksina të injektuara deri tani, nuk është raportuar asnjë rast që të ketë shfaqur komplikacione.

“Loti që ka ardhur në Shqipëri dhe është që në përdorim i përket serisë CTMAV517 dhe nuk është pezulluar në asnjë nga vendet”, tha Preza.

Edhe në Europë autoritetet thonë se nuk është provuar që rastet që kanë pasur mpiksje të gjakut, të jenë të lidhura me vaksinën. Mjekët shqiptare, Kita Sallabanda në Spanjë dhe Aurora Dollenberg nga Gjermania, thonë se në 18 shtete europiane, pezullimi i përkohshëm i AstraZeneca-s erdhi nga paniku i krijuar në popullatë, pasi numri i fataliteteve është 0. 

“Janë vaksinuar deri tani rreth 70 000 persona, nuk ka pasur asnjë fatalitet nga të vaksinuarit me AstraZeneca, ndërsa komplikacione vetëm në 0.006% të tyre”, tha Sallabanda.  

“Janë vaksinuar 1.6 milionë persona dhe ka pasur vetëm reaksione sekondare, si trombozë, vetëm në 7 prej tyre. Prej 2 muajsh kemi vetëm ketë vaksinë në përdorim”, tha Dollenberg.

Po cilat janë efektet që ka dhënë deri tani vaksina pas injektimit?

“Efektet me të zakonshme janë lodhje, këputje, temperaturë, dhimbje apo skuqje në vendin ku është injektuar vaksina. Kjo tregon se po vepron në trup”.

Agjencia Europiane e Barnave, sqaroi se te gjitha pezullimet janë bërë si masa paraprake, teksa vetë agjencia po kryen një hetim të plotë nëse rastet e raportuara të tromboembolisë kanë lidhje ose jo me vaksinën.

Tv Klan