Një 28-vjeçare ka pësuar mpiksje gjaku nga kjo vaksinë

Njerëz të moshuar vijnë dhe largohen nga poliklinika Bukuresht, ku ka filluar vaksinimi me dozat nga AstraZeneca, të rezervuara për 20 mijë qytetarë që paraprakisht ishin lajmëruar përmes internetit ose drejtpërdrejt te mjeku i tyre amë. Pas marrjes së vaksinës këta bashkëshortë thonë se ndjehen mirë. 

A keni ndjerë diçka, a patët dhimbje, a keni pasur frikë?

-Jo, unë nuk kam frikë, nuk frigohem nga vaksina…

Edhe ju?

-Njësoj, jua tha bashkëshortja.Do ta shohim si do të jetë më vonë. Përsëri duhet të kemi kujdes, të mbajmë maskë.

Mjekja kujdestare thotë se procesi ka filluar pa probleme, por apelon që të vihet vetëm me termin të caktuar. 

“Pacientët kanë ardhur në terminin e tyre. Gjithsesi ka edhe prej tyre që nuk kanë, mjekët e tyre nuk kanë arritur të caktojnë termin dhe vinë të pyesin. Do të ketë termine, bëjmë thirrje për durim, të vinë vetëm në qoftë se kanë termin të caktuar.”

Vaksina e vetme që në vend ka arritur në sasi më të madhe, 24 mijë dozat nga AstraZeneca, është vendosur t’u jepen personave mbi 60 vjeç, për shkak të rrezikut nga rastet e mpiksjeve të rralla, por serioze të gjakut, për të cilat dje kanë alarmuar Kanadaja dhe Gjermania, ndërsa një rast ka edhe në Maqedoninë e Veriut. 

“Duke pasur parasysh që një pjesë e qytetarëve që u vaksinuan në Serbi në periudhën që ka kaluar, për momentin nuk ka rekomandime se duhet të bëhet diçka në mënyrë preventive,  megjithatë bëhet fjalë për raste shumë të rralla. Te ne deri më tani është regjistruar një rast i një vajze që ka 28 vjet dhe prej dje gjendet në mjekim spitalor me efekt të tillë trombotik që lidhet me marrjen e një doze të vaksinës AstraZeneca në Serbi.”

Filipçe paralajmëroi se në mes të muajit maj do të hapen kufijtë për hyrje të shtetasve të Maqedonisë së Veriut në Greqi, por me dokument për vaksinë të pranuar ose test negativ PCR. Deri atëherë pritet që vaksinimi të përshpejtohet edhe me doza të reja dhe për këtë qëllim përgatitet pikë më e madhe e vaksinimit në sallën sportive Jane Sandanski në Shkup.

Tv Klan