Balluku: Si do të funksionojë aeroporti i Kukësit



Balluku: Si do të funksionojë aeroporti i Kukësit

09:41 17/04/2021

“Ata që thonin 3D do të zhgënjehen”. Kështu u shpreh ministrja Belinda Balluku gjatë një interviste nga Aeroporti i Kukësit, aty ku po bëhen gati punimet e fundit për të pritur fluturimin e parë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u shpreh se Aeroporti i Kukësit do të jetë low cost. Ajo u shpreh se aeroporti do t’i shërbejë të gjithë trevave shqiptare dhe nuk është destinuar vetëm për veriun.

“Aeroporti i Kukësit po bëhet realitet. Na kanë ngelur pak orë nga fluturimi i parë. Ata që thonin 3D do të zhgënjehen edhe njëherë. Aviacioni civil është një nga strategjitë kombëtare zhvilluar në mandatin e dytë të qeverisë Rama. Siç jeni në dijeni kemi arritur të ngremë kompaninë Air Albania dhe kemi një plan të qartë të bazuar në studime, për të gjitha aeroportet që kemi vendosur të ndërtojmë Aeroporti i Kukësit është faqja e parë e një epoke të re në aviacionin civil shqiptar. Pra një aeroport low cost, i cili do të jetë i dedikuar për këto kompani të cilat ofrojnë shërbime pa dyshim cilësore, por me çmime të ulëta. Është i destinuar për të qenë i tillë.  Ky është aeroport rajonal. Ky është aeroport rajonal, është aeroporti i shqiptarëve dhe jo thjesht aeroporti i veriut të Shqipëri. Aeroporti i Kukësit është studiuar dhe është ndërtuar mbi bazën e konceptit për t’u shërbyer të gjitha trevave shqiptare. Pra si shqiptarëve të Shqipërisë, atyre të Kosovës, pse jo atyre në RMV dhe Mal të Zi. Kriteret mbi të cilat është ndërtuar ky aeroport është shpresëdhënës, qoftë mbi çmimet kompetitive që do të ofrojë dhe qoftë për këtë frymën kombëtare që ka”, tha ministrja.

Sipas Ballukut, aeroporti do të rrisë edhe ekonominë për shkak të ngarkesave që do të ulen aty, pasagjerëve që do të vijnë dhe turistëve.  Ajo u shpreh se të punësuarit në këtë aeroport do të jenë nga zona e Kukësit. Por çfarë ka ndodhur me premtimin e kryeministrit Edi Rama për të sjellë në fluturimin e parë “çunat e Londrës”. Ministrja sqaroi se ky fluturim do të realizohet të dielën dhe pagesa është kryer nga kompania që ka në koncesion aeroportin.

“Është koncensionari që ka komisionuar këtë fluturim. Është çmim promocional nuk është paguar biletë. Më rezulton që ‘çunat e Londrës’ janë tashmë të rezervuar dhe në datë 18, ulen këtu dhe i pret kryeministri siç i ka premtuar. Ky është aeroport i ndërtuar sipas kritereve të aviacionit civil europian dhe atij ndërkombëtar. Jemi duke përfunduar detajet e fundit”, tha Balluku.

Ministrja u shpreh se nga aeroporti i Kukësit do të kryhen udhëtime, fillimisht drejt disa qyteteve zviceriane, në Gjermani, dhe qytete Italiane. Pas datës 18, Balluku tha se fokusi i MIE do të jetë ndërtimi i aeroportit të Vlorës.

Ndërkohë këtë intervistë e ka shpërndarë në faqen e tij zyrtare në Facebook edhe kryeministri Edi Rama.

“Kukës – Aeroporti Ndërkombëtar “Zayed – Flatrat e Veriut”, gati për fluturimin e parë me pasagjerët VIP, çunat çamarrokë të fejsbukut nga Londra. Kujdes mos është 3D”, shkruan Rama.

/tvklan.al







Të ngjashme