Triumfi në Europa League u shoqërua me rekorde të shumta te Atalanta. Bergamaskët arritën që t’i shkaktonin humbjen e parë sezonale Bayer Leverkusen me shifrat 3-0, në një takim të dominuar totalisht në stadiumin e Dublinit. Hero për skuadrën e Atalantës ishte sulmuesi Lukman, teksa realizoi të tre golat në këtë 90 minutësh.

Nigeriani u bë lojtari i dytë që shënon tre gola në një finale Europiane për një skuadër italiane që prej Prati me fanellën e Milanit kundër Ajaks në vitin e largët 1969.

Atalanta u bë skuadra e parë italiane që fiton kompeticionin në emrin Europa League, ku merita të veçanta ka edhe trajneri, Xhian Piero Gasperini. Në moshën 66-vjeç e 117 ditë, ai është trajneri më i vjetër që ka fituar në debutimin e tij në një finale Europiane dhe i dyti italian pas Sarrit në vitin 2019.

“Shumë krenar për të gjithë Italinë, sepse ishte një trofe i mallkuar. Atalanta është ndoshta një nga ato përrallat e futbollit që ndodhin shumë rrallë dhe tregon se ka ende vend për meritokraci në futboll”.

I zhgënjyer për atë që prodhoi fusha u shfaq trajneri i Leverkusen, Shabi Alonso.

“Është futboll dhe pësuam humbjen e parë pas 52 ndeshjesh. Ka qenë mjaft e jashtëzakonshme ajo që kemi arritur dhe ne duhet të jemi vërtet krenar për të gjithë. Na duhet pak kohë, është e dhimbshme, por edhe e merituar.”

Trofeu i Europa League solli për arkat e klubit italian gati 35 milionë Euro, duke marrë parasysh edhe bonusin për pjesëmarrjen në Superkupën e UEFA-s. Falë fitores së Atalantës përfiton edhe Roma, pasi në rast se zikaltërit e përfundojnë sezonin e rregullt në vendin e pestë në Champions League do të shkonte edhe skuadra e renditur e gjashta në Serie A.

Klan News