Një person është vrarë me armë zjarri mëngjesin e kësaj të enjteje pranë zonës së Piramidës në Tiranë. Viktima mësohet se është Behar Sofia 66 vjeç nga Berati dhe banues në zonën e Kombinatit në kryeqytet.

Burimet policore thonë për tvklan.al se viktima u gjet i shtrirë në trotuar fillimisht në gjendje të plagosur. Ai u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë.

Foto: Viktima Behar Sofia, që përdorte dhe identitetet Fatmir Sofia e Behar Seferi

Sipas informacioneve paraprake, mendohet që viktima të jetë qëlluar me armë me silenciator nga një makinë në lëvizje, teksa 66-vjeçari ka qenë duke ecur në këmbë. Kjo për shkak se në zonë nuk janë dëgjuar të shtëna armësh.

Atentati konsiderohet i tipit mafioz për shkak të rrethanave dhe dinamikës, për shkak se ka ndodhur në një zonë mjaft të populluar të kryeqytetit.

Forcat e Komisariatit Nr.1 të Policisë së Tiranës ndodhen në vendngjarje dhe kanë rrethuar të gjithë zonën. Uniformat blu kanë nisur hetimet për të zbardhur tërësisht dinamikën e ngjarjes.

Burime nga grupi hetimor kanë thënë se 66-vjeçari jetonte në katin e katërt të një qendre komerciale në atë zonë. Ai është qëlluar rreth 100 metra larg ndërtesës ku banonte sapo doli nga shtëpia.

Në akse të rëndësishme dhe kryqëzime janë ngritur postblloqe për të bërë të mundur zbulimin dhe ndalimin e autorëve të dyshuar. Po kështu do të analizohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të ndihmuar në lidhje me hetimet për këtë atentat.

Informacioni paraprak i Policisë së Tiranës:

Më datë 25.02.2021, rreth orës 09:00, në trotuar në afërsi të Piramadës është konstatuar nga sherbimet e Policisë shtetasi B. S., 66 vjeç,  i shtrirë në tokë, dyshohet i plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta, i cili është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjeksore ku dhe ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, të cilat kanë rrethuar zonën, me qëllim kapjen e autorit. Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore dhe vijon puna nga grupi hetimor, për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”.

Pistat e dyshuara të atentatit

Gazetari i Klan News, Edison Vatnikaj raporton se viktima ka qenë edhe në të kaluarën shënjestër e atentateve.

66-vjeçari Sofia ishte pronar i disa bizneseve, të cilat jo pak herë janë sulmuar me eksploziv.

Gazetari Vatnikaj mëson nga burimet policore se po verifikohet e shkuara e viktimës dhe problemet që ka patur. Nuk përjashtohet as pista e konflikteve për prishje të pazareve të drogës, megjithatë për momentin këto mbeten në kuadrin e dyshimeve.

Tvklan.al ka mësuar se Behar Sofia është person me precedent penal në fushën e lëndëve narkotike sa i përket trafikut ndërkombëtar të drogës. Sipas informacioneve, në vitet 2012-2013 ka qenë i shpallur në kërkim edhe nga Policia Shqiptare.

Kjo është edhe një foto e viktimës Behar Sofia 66 vjeç që ndodhet i shtrirë në trotuar vetëm pak sekonda pasi u qëllua me armë, kur ishte ende i plagosur.

Kanë qenë kalimtarët e zonës të cilët njoftuan policinë se një person ishte i shtrirë në rrugë i plagosur.

Grupi hetimor dyshon se Sofia u qëllua nga një makinë në lëvizje me armë me silenciator, për shkak se në zonë nuk u dëgjuan të shtëna armësh.

Një tjetër pistë sa i përket dinamikës së ngjarjes ka të bëjë me faktin se dyshohet që 66-vjeçari të jetë qëlluar brenda një automjeti dhe më pas të jetë hedhur në rrugë nga autorët.  /tvklan.al