Plagoset biznesmeni dhe një turist në Sarandë




Plagoset biznesmeni dhe një turist në Sarandë

08:06 20/06/2021

Policia identifikon 3 autorët dhe i shpall në kërkim

Ky është Spiro Iljadhi, biznesmeni nga Saranda që në orët e para të mëngjesit të së dielës ra pre e një sulmi me armë në lokalin e tij në këtë qytet. Autorët kanë qenë 3 persona që pas një debati kanë hapur zjarr me breshëri kallashnikovi ndaj 35-vjeçarit duke e lënë atë të plagosur rëndë. Plumbat kanë lënduar edhe një pushues shqiptaro-amerikan, Mario Jani 33 vjeç.

Ngjarja ndodhi rreth orës 3.50 minuta kur biznesmeni Spiro Iljadhi që njihej edhe me emrin tjetër Ermal Iljazi ishte duke dalë nga lokali i tij. Autorët kanë qëlluar disa herë dhe janë larguar me shpejtësi. Në vendin e ngjarjes policia gjeti rreth 20 gëzhoja. Nga të shtënat janë dëmtuar edhe automjete të parkuara aty pranë.

Biznesmeni u dërgua fillimisht në spitalin e Sarandës, por duke parë gjendjen e tij të rëndë u nis me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Burime nga policia thanë se gjendja e turistit të plagosur që u gjend në vendin e gabuar në momentin e gabuar është jashtë rrezikut për jetën.

Policia konfirmoi se tashmë ka identifikuar autorët. Ata janë vëllezërit Visi dhe Andrea Çaushi 33 dhe 35 vjeç si dhe Redjan Hadëri, 33 vjeç, të gjithë nga Tepelena të cilët janë shpallur në kërkim. Policia thotë se shkak i ngjarjes është bërë një konflikt i çastit mes biznesmenit dhe autorëve që ka përfunduar me përdorimin e armëve.

Tv Klan





Të ngjashme