Një atentat me dy të vdekur ka ndodhur paraditen e kësaj të shtune në qytetin e Shkodrës. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e zooteknikës, në lagjen Guerile.

Viktimat janë dy vëllezërit Astrit dhe Brahim Bilali, 59 dhe 61 vjeç. Ata u qëlluan me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar, të cilët lëviznin me një automjet.

Dy vëllezërit u vranë pranë banesave të tyre. Ndërkohë, në afërsi të zonës së Livadheve autoritetet gjetën një automjet të djegur, që dyshohet se u përdor nga autorët.

Motivet e këtij ekzekutimi mafioz mbeten momentalisht të panjohura. Ndërkohë, policia ka shoqëruar të paktën 15 persona, për t’i marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.

Viktimat ishin bashkëpronarë të një resorti hipizmi, ndërsa Astrit Bilali është babai i Asmer Bilalit, një emër i njohur për policinë dhe publikun.

Një ish-boksier, i riu u arrestua vitin e shkuar si pjesë e grupit të Bajrave.

Asmer Bilali ishte gjithashtu në shoqërinë e Arjan Ferracakut, kur ky i fundit u ekzekutua për vdekje, ndërkohë që kishin dalë për hipizëm. Ngjarja në fjalë ndodhi në Shtator të vitit të shkuar dhe në këtë rast u dyshua se autorët mund të kishin ngatërruar shënjestër dhe se në të vërtetë donin të vrisnin Asmer Bilalin.

Bilali ishte gjithashtu i dyshuari kryesor në një ngjarje të ndodhur në 2017-n, ku mbeti i plagosur me armë 20-vjeçari Hermes Beqiri.

/tvklan.al