Qëllohet me armë studenti i Akademisë së Sigurisë, objekt ishte kunati i tij Gjon Nika

Dy persona mbetën të plagosur në një atentat me armë zjarri, mbrëmjen e të martës në Shkodër. Ngjarja ndodhi në afërsi të një lokali në fshatin Grudë e Re. Mbi 40 plumba u qëlluan në automjetin që lëviznin Gjergj Ndërshtiqaj 28-vjeç student në Akademinë e Sigurisë dhe kunati i tij 30 vjeç Gjon Nika.

Si pasojë e breshërisë së kallashnikovit, automjeti tip “BMVV” që lëviznin dy të plagosurit mori flakë. Autorët të cilët u larguan me shpejtësi, dogjën automjetin tip “Renault”, pranë vendit të ngjarjes. Studenti i Akademisë së Policisë dhe kunati i tij u dërguan në spitalin rajonal të Shkodrës.

Në vendin e ngjarjes mbërritën shërbimet e policisë së Shkodrës, ndërsa në ndihmë të policisë vendore shkuan edhe disa grupe të Forcës Kombëtare të Sigursë dhe Renea-s.

Policia nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Për të koordinuar hetimet, në drejtorinë vendore të policisë shkoi edhe drejtori i përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku. Nga hetimet paraprake dyshohet se shënjestër e atentatit ishte 30-vjeçari Gjon Nika, kunati i studentit të Akademisë së Policisë.

Klan News