Atentat kryebashkiakut të Tiranës Edi Rama brenda në shtëpinë e tij. Dy plumba kanë goditur dritaren e shtëpisë së kryebashkiakut Rama në katin e 4 të pallatit 18 në rrugën “Muhamed Gjollesha” në mbrëmje rreth orës 20:30. Përveç forcave të policisë që rrethuan zonën, në shtëpinë e Ramës ka shkuar dhe ministri i Rendit Ilir Gjoni. Ekspertët e Kriminalistikës kanë parë vendngjarjen, por nuk kanë gjetur gëzhojat e armës. Dy plumbat nuk kanë depërtuar brenda shtëpisë së kryetarit të bashkisë Rama pasi dritaret ishin me dopjo xham dhe kjo ka bërë që plumbat të mos depërtonin xhamin dhe të futeshin brenda shtëpisë së Ramës.

Vetë kryebashkiaku Rama i cili ishte i vetëm në momentin e goditjes me armë, tregon për momentet e frikshme.

Gazetari: Zoti Rama në çfarë ore ndodhi?

Edi Rama: Rreth një orë e gjysmë përpara ndoshta, rreth 2 orë më përpara. Unë isha në shtëpi, po shikoja sport. Në krahun tjetër dëgjoj krisma dhe pastaj kujtova mos kishte ndonjë përplasje dritaresh apo u thye ndonjë gjë. Pastaj u thye dhe njëherë tjetër në prezencë xhami. Në banesë isha vetëm.

Gazetari: Ditët e fundit keni pasur ndonjë kërcënim apo diçka të tillë?

Edi Rama: Nëse doni të dini se kë mendoj, ju e di se kë mendoj. 2 karamele nga doktori sepse nuk ka asnjë arsye që dikush të marrë mundimin dhe të vendosë dylbitë drejt shtëpisë sime përveç se arsyes që unë merrem me politikë dhe dikujt kjo nuk i pëlqen. Nuk ka asnjë arsye tjetër.

Sipas dhe drejtuesve më të lartë të Policisë së Tiranës, arma që ka qëlluar drejt shtëpisë së Ramës duhet të jetë armë me precision të lartë si snajper me silenciator pasi askush nuk ka dëgjuar të shtëna. Goditja e parë është rreth 15 cm larg nga pjesa anësore e parvazit të dritares. Zhurma e ka shqetësues kryetarin Rama i cili nga dhoma tjetër është afruar drejt dritares dhe pikërisht në këto momente është qëlluar për herë të dytë ku plumbi është përplasur në xhamin e dritares 40 cm larg parvazit.

Dy goditjet me precision të lartë kanë një dëmtir rrethor nga jashtë. Pasi është ekzaminuar çdo gjë rreth shtëpisë së kryebashkiakut Rama, policët kanë hetuar nga ku mund të kenë ardhur goditjet. Një pistë është nga largësitë e mëdha, por nuk mungon dhe një pistë tjetër që është pallati përballë. Gjithçka do të zbulohet pas hetimeve paraprake për atentatin e sotëm ndaj Edi Ramës që shënon dhe herën e parë të sulmit ndaj krerëve të pushtetit lokal./tvklan.al

Gazetar: Eduar Frangaj