Ish- pronari i fabrikës së tullave në Vorë, Tofik Hyka mbeti i plagosur me disa plumba në kokë dhe në trup, pas një atentati ndaj tij të mërkurën paradite rreth orës 10:25, në rrugën “Gjin Bue Shpata pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Hyka 56-vjeçar nga Tirana, por që në vitet e fundit kishte jetuar jashtë vendit kryesisht në Paris, u qëllua me pistoletë ndërsa ndodhej i ulur në lokal “Piemonte” në kryeqytet.

Dy persona iu afruan me një motor të fuqishëm, njëri prej të cilëve mbante një skafandër në kokë qëlloi ndaj Hykës katër herë, duke i shkaktuar plagë në trup dhe kokë. Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu dha detaje në vendin e ngjarjes.

“Rreth  orës 10:25, një shtetas është plagosur me armë zjarri, i cili u transportua menjëherë në spital. Autorët e dyshuar janë dy persona të cilët kanë lëvizur me motor. Kemi shoqëruar disa persona të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes”, tha Ardi Veliu.

Në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi katër gëzhoja të kalibrit 6.5 mm. Policia ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë së disa bizneseve të zonës. Po ashtu janë marrë edhe deklarimet e më shumë se 10 dëshmitarëve. Policia po heton në pistën e hakmarrjes si dhe në pistën e konflikteve për shkak të borxheve të mundshme, apo përfshirjes së tij në aktivitete të paligjshme.

Pista e parë lidhet me vrasjen e Dritan Avdylit në Shijak në vitin 1995. Avdyli u vra pasi në bashkëpunim me persona të tjerë i kishin kërkuar një sasi madhe parash Hykës. Pas vrasjes së Avdylit, disa vite më vonë në rrugën e Qelqit, në ish- kombinat, për këtë ngjarje u vra i dyshuar Durim Kusi. Hyka prej shumë vitesh ishte një nga pronarët e fabrikës së tullave në Vorë, por u detyrua ta mbyllte për shkak të borxheve të shumta dhe problemeve të pagesave me punëtorët.

TV KLAN