Pëllumb Muharremi është një nga personat, i cili u plagos së bashku me prokurorin Arjan Ndoja në atentatin e 1 Nëntorit. Muharremi, ose siç njihet në zonë me nofkën “Rrumi” nuk është një emër i panjohur për autoritetet shqiptare.

Gazetarja Lindita Çela deklaroi në emisionin “Opinion” në Tv Klan se ndaj tij ekziston vetëm një procedim penal. Sipas saj bëhet fjalë për një ngjarje të vitit 2007 ku Pëllumb Muharremi mbante një identitet tjetër, Pëllumb Ymeri.

Në procedimin e atij viti, Muharremi akuzohej për një plagosje në qendër të qytetit të Durrësit, por prokuroria nuk arriti ta zbardhë ngjarjen dhe akuzat u rrëzuan në gjykatë.  

“Ka patur me emrin Pëllumb Ymeri në vitin 2007. Është arrestuar në Qershor të vitit 2007 me emrin Pëllumb Ymeri për plagosje në atë kohë. Plagosje në qendër të qytetit, ndaj disa personave që prokuroria nuk arriti ta zbardhi ngjarjen. Çuditërisht sipas dokumenteve shtetasi Pëllumb Ymeri nuk ka qëndruar në burg, por ka shkuar fillimisht në spitalin rajonal dhe thotë që për arsye të rënda shëndetësore. Më pas procesi i hetimit është bërë në gjendje të lirë. Më pas të tëra akuzat ndaj shtetasit Pëllumb Ymeri janë rrëzuar në Gjykatën e Durrësit. Më pas hetimet nuk kanë filluar më tej.

Çështja e “Rrumit” mendoj se ka më shumë problematikën tek institucionet në zbardhjen e komplet rekordeve të këtij personi. Zyrtarisht është vetëm ky rast kur ka një proces penal ndaj tij. Ky është i vetmi procedim penal që ka ky person dhe të mos harrojmë që ka një mbështetje politike qoftë edhe në zonën ku punon”, tha Çela. /tvklan.al