Autorët shkëmbyen mesazhin: Këtë radhë dolëm huq

“Këtë radhë dolëm huq”. Ky SMS-së në WhatsApp mes Albin Hoxhës dhe vëllait të tij Enea Hoxha, të arrestuar për atentatin ndaj biznesmenit Andon Dhima ishte një nga provat që bindi gjykatën t’i lerë në burg së bashku me Gred Lenon dhe Mariglen Matohitin. Sipas hetuesve, dyshimet janë së bëhet fjalë pikërisht për atentatin e dështuar të 15 Tetorit ndaj 51-biznesmenit vjeçar.

Sipas prokurorisë, Gred Leno dhe Albin Hoxha, janë dy personat që kanë ndjekur biznesmenin Dhima deri tek hyra e pallatit për të realizuar vrasjen. Ndërsa Mariglen Matohiti dhe Enea Hoxha do të ndihmonin atentatorët të largoheshin me makinë pas vrasjes.

Një tjetër provë në duart e hetuesve janë edhe kamerat e sigurisë, ku shfaqen të arrestuarit teksa ndjekin Dhimën deri në hyrje të banesës me qëllim eliminimin e tij. Hetuesit kanë sekuestruar edhe armën me të cilën do të realizohej atentati, si dhe veshjet që kanë përdoruar autorët së bashku me një maskë. Por në seancën me dyer të mbyllura, ata kanë mohuar akuzat dhe kanë pretenduar se nuk kanë njohje apo ndonjë konflikt me Dhimën.

Hetimet nisën nga denoncimi në polici i vetë biznesmenit që tregoi se 2 persona kishin tentuar ta eliminonin fizikisht. Të arrestuarit akuzohen për “Vrasje të mbetur në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje dhe përdorim i paligjshëm i uniformës së policisë”. Hetimet vijojnë për të zbuluar kush ishte porositësi i këtij atentati.

Tv Klan