Ermal Binjaku, autori i vrasjes së Denis Kasës dhe plagosjes së dy të tjerëve është vënë në pranga nga autoritetet në Kakavijë.

Bëhet fjalë për një atentat të ndodhur më 8 Janar të 2016 -ës, në Mbrostar të Fierit, ku si pasojë e një historie të gjatë hakmarrjeje mes fiseve Kastrati e Binjaku, viktimë mbeti edhe Denis Kasa.

Burime zyrtare thonë se 28 – vjeçari Binjaku u paraqit rreth orës 00:47 në pikën kufitare të Kakavijës, në hyrje të Republikës së Shqipërisë.

Ai deklaroi gjeneralitete të tjera, (F.B), por pas intervistimit dhe verifikimeve të bëra nga punonjësit e policisë në sitemin ‘’TIMS’’ u zbulua se Binjaku ishte person në kërkim.

Ndaj tij, kishte urdhër ndalimin nga Prokuroria e Fierit për vrasje në rrethana të tjera cilësuese. 

***

Denis Kasa, viktima

Vrasja e Denis Kasës, 8 Janar 2016

Mbrëmjen e 8 Janarit, Denis Kasa mbeti viktimë e një atentati, objektiv i të cilit nuk ishte vetë ai, por Kelmend Kastrati, i cili sëbashku me Elton Maragaritin mbetën të plagosur.

Hetimet dolën në përfundimin se organizator dhe financues i vrasjes ishte Ermal Binjaku. Shkak i krimit, sipas prokurorisë ishte një konflikt i vjetër mes Binjakur dhe Kastratit.

Binjaku ishte vënë në dijeni se ndaj tij do të kryehej një atentat nga fisi Kastrati. Për këtë arsye, ai me ndihmën e Ylli Nazërajt, Ilir Memushajt dhe Florian Bushi përgatiti atenatin e Mbrostarit. Në atë kohë 33 – vjeçari Bushi mbante detyrën e agjentit të SHISH, deri në 21 Janar, ditë kur u prangos.

Florian Bushi siguronte informacion për lëvizjen e Klement Kastratit objektiv i sulmit, por që vetëm u plagos.

Këto informacione i kalonin nëpërmjet telefonit Ilir Memushajt, i cili ia dërgonte më pas Ermal Binjakut. Ndërsa Ylli Nezeraj kishte ndihmuar Ermal Binjakun dhe Ilir Memushajn. 

Hakmarrja

Konflikti mes fiseve Binjaku dhe Kastrati kishin nisur në vitin 1994, kur i vrarë mbeti kushëriri i Klement Kastratit dhe dyshimet ranë mbi vëllain e Ermal Binjakut.

Në vitin 2000, një tjetër i afërm i Kastratit u vra në Fier. I dyshuar për këtë ngjarje ishte Ermal Binjaku.

Ngjarjet kanë mbetur të pazbardhura nga policia. Pikërisht ky konflikt duket se është pasuar nga atentati i Mbrostarit, që çoi në vdekjen e Denis Kasës dhe plagosjen e Kastratit e Elton Margaritit. 

/tvklan.al