haxhia

Një ish – efektiv policie, tashmë pronar i një diskoje në Sarandë, ka rënë për herë të pestë pre e një atentati me armë. Bëhet fjalë për 38 – vjeçarin, Rubin Haxhia, i cili është gjendur nën breshërinë e plumbave, pasditen e së mërkurës, kur po udhëtonte në makinë me kushëririn e tij, në aksin Delvinë – Bistricë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 15:45, në vendin e quajtur “Shtreg”, kur nga një automjeti tip “Audi”, persona të paidentifikuar kanë hapur zjarr në drejtim të mjetit “Volskwagen”, ku udhëtonte Haxhia.

Sipas policisë, ai ka marrë 5 plumba në shpatull dhe një në këmbë dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Edhe kushëriri i tij, 28 – vjeçari Emeid Haxhia ka marrë 2 plumba në këmbë. Të dy janë nisur drejt Tiranës për një mjekim më të specializuar.

Policia gjeti në vendin e ngjarjes 18 gëzhoja automatiku dhe 1 gëzhojë pistolete tip TT. Në akset kryesore të Jugut janë ngritur postoblloqe policie në ndjekje të autorëve.

Haxhia është i njohur për policinë. Në 2008 -ën, ish – polici u plagos me pistoletë në Sarandë. 3 vjet më pas u qëllua me kallashnikov, por sërish shpëtoi. Në Prill të 2014 -ës iu vendos eksploziv poshtë makinës, e cila shpërtheu në ecje në Gjirokastër, por sërish shpëtoi me plagë të lehta. Ndërsa sulmi i fundit iu bë me thikë, në Shkurt të këtij viti.

Edhe ndaj diskos në pronësi të tij janë bërë disa herë sulme, nga viti 2011 e në vijim, ku janë vendosur disa herë sasi eksplozivi. Ngjarjet kanë mbetur të pazbardhura, ndërsa policia gjithmonë ka dyshuar se bëhet fjalë për shkak të konkurrencës.

Tv Klan