Vrasja e Jurgen Kurtit ka dyshime se është kryer nga dy persona që pas krimit janë larguar me një makinë “Mercedes-Benz”. Një nga pistat ku janë përqëndruar hetimet është ajo e hakmarrjes për shkak të së kaluarës së viktimës.

Prej mbrëmjes të së hënës janë shoqëruar dhe marrë në pyetje disa persona, përfshirë edhe familjarë të viktimës për të mësuar nëse kohët e fundit kishte shfaqur shqetësime për konflikte të mundshme.

Paraditen e së martës, uniformat blu kanë shkuar sërish në vendngjarje për të rindertuar skemën e krimit. Janë sekuestruar pamjet e dy kamerave, por ato nuk i kanë ndihmuar hetuesit për shkak të këndit jo të favorshëm. Një dëshmitar i ka thënë policisë se në momentin e vrasjes kanë qenë në lëvizje 4 mjete. Ai ka treguar se dy persona qëlluan nga një makinë Benz.

Policia ka gjetur dhe sekuestruar mbi 15 gëzhoja dhe mendohet se ndaj tij është qëlluar me breshëri. Autorët kanë studiuar lëvizjet e viktimës dhe vrasja ka qenë e mirëmenduar. 26-vjeçari është një emër i njohur për policinë. Në vitin 2016 u arrestua si i përfshirë në vrasjen e babait, por më pas u lirua pasi krimin e mori përsipër daja i tij.

Një vit më vonë, në Prill të 2017-ës Kurti u përfshi në një ngjarje tjetër të rëndë, këtë herë në qytetin e Durrësit. Konflikti nisi për mosd hënien e pagesës së qirasë 58-vjeçarit Agim Arapi që përfundoi me vdekjen e këtij të fundit. Edhe për këtë rast ai u hetua si i përfshirë, por më pas u dënua vetëm vjehrri i tij për “vrasje nga pakujdesia”.

Tv Klan