Atentati i Don Boskos në kryeqytet me 1 të vrarë dhe 4 të plagosur më 4 Janar 2022 ka ndodhur për shkak të ngatërrimit të objektivit nga ana e autorëve.

Ky është konkluzioni zyrtar i Policisë së Tiranës, që ditën e sotme përmes një komunikate me median, drejtori i këtij institucioni Tonin Vocaj bëri të ditura rezultatet e hetimit për operacionin e koduar “Fokus”.

Sipas tij, nga hetimet është zbuluar se atentati synonte vrasjen e Geron Hasanbelliut dhe nipërve të tij. Porosia është dhënë nga Kasandër Noga në Belgjikë, deklaroi drejtori i Policisë Tiranë. Shkak ka qenë hasmëria e vjetër mes tyre.

Kasandër Noga kishte kontraktuar Kevin Zeneli Suçin për kryerjen e krimit. Ky i fundit kontaktoi edhe 3 persona të tjerë, Ilirjan Feçin dhe vëllezërit Beqiraj, Indritin dhe Gentjanin.

Po këta dy të fundit, megjithesë fillimisht morën përsipër kryerjen e vrasjes dhe kanë kryer veprime konkrete, pas disa kohësh janë tërhequr nga frika.

Në këto kushte, Kevin Zeneli Suçi kontaktoi persona të tjerë, ende të paidentifikuar, për të kryer krimin.

Më 4 Janar 2022, Kevin Zeneli Suçi së bashku me personat e rinj që kishte kontaktuar, hapën zjarr në drejtim të një lokali në Don Bosko, duke lënë 1 të vrarë dhe 4 të plagosur. Televizioni Klan publikoi në atë kohë edhe pamjet e krimit, ku duket makina e autorëve që largohet me shpejtësi pas të shtënave.

Viktimë mbeti Erion Çela dhe u plagosën 4 të tjerë që ndodheshin në tavolinë me të, të gjithë të pafajshëm dhe nuk kishin lidhje me ngjarjen.

Kevin Suçi dyshohet se është ndihmuar edhe nga një person tjetër për krimin. Policia e Tiranës tha se ai person është Roland Ahmetsulaj, i cili ka në pronësi një njësi shërbimi për riparimin e automjeteve. Ky i fundit është arrestuar dhe akuzohet për sigurim i kushteve për të kryer vrasje.

Të arrestuar janë edhe vëllezërit Indrit e Gentjan Beqiraj, si dhe Ilirjan Feçi, të gjithë të akuzuar për sigurim i kushteve për të kryer vrasje.

Ndërsa Kevin Suçi Zeneli, i akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese dhe armëmbajtje pa leje, vijon të jetë në kërkim.

Ndërkohë, Kasandër Noga, i akuzuar për vrasje në rrethana cilësues, është i arrestuar në Belgjikë.


Ekskluzive/ Video e vrasjes së 4 Janarit 2022 në “Don Bosko”


Vocaj: Do kërkojmë ekstradimin në Shqipëri të Kasandër Nogës

Tonin Vocaj: Është fakt që indicia për një hetim të kësaj ngjarjeje ka rrjedhur nga hetimet që Prokuroria e Durrësit ka iniciuar në momentin e arrestimit të vëllezërve Beqiraj. Kuptohet që procedimet penale për ngjarjen janë ndjekur të ndara, policia e Tiranës e ka analizuar me detaje të gjitha deklarimet e tyre të cilët kanë qenë mjaft të rëndësishem për fillimin e hetimeve në rrugën e duhur për ndjekjen e këtij procedim penal. I falenderoj kolegët tanë në Durrës, gjithashtu dhe prokurorët për gjithë punën në interes të ngjarjes. Sa i përket ekstradimit, Kasandër Noga ndodhet i dënuar në Belgjikë për tentativë vrasjeje, dhe kuptohet në interes të këtij hetimi, nga autoritetet tona do të kërkohet esktradimi i tij në Shqipëri”.


NJOFTIMI I POLICISË TIRANË:

Nga strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sot me datë 24.02.2024 u finalizua operacioni policor “FOKUS” si rezultat i të cilit u bë i mundur dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes se ndodhur më datë 04.01.2022, ku rreth orës 16:10, në rrugën “Don Bosko”, Tiranë, ku persona të panjohur, të cilët lëviznin me një automjet tip “Mercedez Benz”, me ngjyrë të zezë, kanë hapur zjarr me armë në drejtim të një lokali. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka gjetur vdekjen shtetasi Erion Çela, si dhe janë plagosur shtetasit Blerim Çela, Edmond Crroj, Arben Dani dhe Azbi Selimaj.

Për këtë ngjarje, Prokuroria pranë Gjykatë së Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithëm Tiranë, ka regjistruar procedimi penal për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, (kundër dy ose me shumë personave) dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 79 gërma “dh” dhe 278 paragrafi i I-rë, të Kodit Penal.

Gjatë hetimeve intensive dhe profesionale të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke shfrytëzuar të dhënave e inteligjencës policore, përdorimit të metodave speciale të hetimit, administrimit dhe vlerësimit të fakteve dhe të provave, si dhe shkëmbimit të informacionit me agjensitë ligjzbatuese belge, është bërë i mundur dokumetimi ligjor i autorësisë se kësaj ngjarje kriminale.

Nga terësia e veprime të thelluara hetimore, vlerësimit të fakteve dhe provave të siguruara, deklarimet, provave shkresore, të dhënave në ekzekutim të letër porosise nga autoritet belge, krijohet dyshimi i arsyeshëm, bazuar në prova, se shtetasi Kasandër Noga në bashkëpunim me shtetasin Kevin Zeneli (Suçi), kanë zhvilluar takime dhe biseda, kanë siguruar dhe kanë dhënë shuma monetare, me qëllim vrasjen e shtetasit G. H., dhe 2 nipave të tij për shkak të një hasmërise të vjetër, që shtetasi Kasander Noga, ka prej disa vitesh me vëllëzerit E. H., alias M. R. dhe G. H.

Për të organizuar vrasjen e këtyrë personave, shtetasi Kasandër Noga ka kontaktuar dhe porositur shtetasit Kevin Zeneli (Suçi), i cili më pas ka kontaktuar shtetasin Ilirian Feçi dhe vëllëzerit Indrit dhe Gentjan Beqiraj, të cilëve iu është premtuar dhe dhënë si parapagim një shumë monetare.

Shtetasi Kevin Zeneli (Suçi) dhe Ilirian Feçi, në bashkëpunim me njeri – tjetrin, kanë kryer veprime konktrete, takime dhe biseda, janë interesuar për lëvizjet dhe kanë vëzhguar për disa muaj intinerain e mundshëm të lëvizjeve, kanë siguruar mjetet dhe armët, më qëllim vrasjen e shtetasit G. H., duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Nga deklarimet e vellezërve Beqiraj, rezulton se megjithesë fillimisht ata kanë marrë përsipër kryerjen e vrasjes dhe kanë kryer veprime konkrete, pas disa kohësh janë tërhequr nga frika, dhe për gjetjen dhe vrasjen e shtetasit G. H., dhe nipave të tij, shtetasit Kasander Noga dhe Kevin Zeneli (Suçi) kanë kontaktuar persona të tjerë të pa identifikuar deri tani.

Gjithashtu, nga deklarimet e vellëzerëve Beqiraj, ka rezultuar se më datë 04.01.2022, shtetasi Kevin Zeneli (Suçi), në bashkëpumim me dy persona të tjerë, ende të pa indentifikuar, si porosi e shtetasit Kasander Noga, kanë qëlluar me armë zjarri drejt një lokali në Don Bosko, për të vrarë shtetasin G. H., por autorët kanë ngatërruar objektiv, dhe si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka gjetur vdekjen shtetasi Erion Çela dhe janë plagosur 4 të tjerë.

Gjithashtu, nga provat e mbledhura deri tani dyshohet se shtetasi Kevin Zeneli (Suçi) dhe personat e tjerë, janë ndihmuar nga shtetasi Roland Ahmetsulaj, i cili ka një njësi shërbimi që merret me riparim automjetesh, shërbim karrotreci, shit – blerje automjetesh etj. Nga analiza e të dhënave telefonike rezulton se ky shtetas, ditën e ngjarjes ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes, dhe ka komunikuar me shtetasin Kevin Zeneli (Suçi).

Pas vlerësimit të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka vendosur:

  • Caktimin e masës se sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë ndaj shtetasit Kasander Noga, i datëlindjes 15.05.1997, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, (kundër dy ose me shumë personave), parashikuar nga neni 79 gërma “dh” i Kodit Penal,
  • Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë ndaj shtetasit Kevin Zeneli (Suçi), i datëlindjes 07.03.1999, i dyshuar për kryerjen e vepave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, (kundër dy ose me shumë personave),dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 79 gërma “dh” dhe 278/1 të Kodit Penal,
  • Caktimin e masës se sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë ndaj shtetasit Gentjan Beqiraj, i datëlindjes 30.10.1983, i dyshuar per kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për te kryer vrasje”, parashikuar nga nenet 80 i Kodit Penal,
  • Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë ndaj shtetasit Indrit Beqiraj, i datëlindjes 01.07.1990, i dyshuar per kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për te kryer vrasje”, parashikuar nga nenet 80 i Kodit Penal,
  • Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungese ndaj shtetasit Ilirian Feçi (Feci), i datëlindjes 15.06.1975, i dyshuar per kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për te kryer vrasje”, parashikuar nga nenet 80 i Kodit Penal,
  • Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë ndaj shtetasit Roland Ahmetsulaj, i datëlindjes 30.08.1987, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për te kryer vrasje”, parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal,

Nga Policia Gjyqësore është bërë ekzekutimi i masës se sigurimit personal “Arrest në burg”, për shtetasin Roland Ahmetsulaj, dhe ekzekutimi i masave të sigurimit “Arrest në burg” për shtetasit Indrit Beqiraj, Gentian Beqiraj, Ilirjan Feçi, të cilët aktualisht ndodhen të paraburgosur në ambientet e Insitucioneve të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale, të arrestuar për vepra të tjera penale.

  • Shtetasi Kasander Noga aktualisht ndodhet në burg në Belgjikë, dhe ekzekutimi i masës së sigurimit personal ndaj tij do të bëhet nëpërmjet letër-porosisë. Shtetasi Kevin Zeneli (Suçi) është shpallur në kërkim.

Në përfundim dua të falënderoj publikisht oficerët e Policisë Gjyqësore të sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë për ndjekjen me përkushtim dhe profesionalizëm të këtij hetimin. Gjithashtu dua të falënderoj Drejtorinë e Inteligjencës dhe Arkivës Kriminale në Departamentin e Policisë Kriminale ne Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për produktet analitike profesionale të përgatitura, pa të cilat do të kishte qenë i vështirë dokumentimi i plotë ligjor i kësaj ngjarje.

Po kështu dua të falënderoj të gjithë grupin e Prokurorëve që kanë drejtuar hetimet dhe në mënyrë të vecantë prokurorët Arjan Përmeti, Ritvan Suka dhe drejtuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Z. Arens Çelaj, për drejtimin mjaft korrekt dhe profesional të të gjitha veprimeve hetimore.


/tvklan.al