Një atentat mafioz u shënua mbrëmjen e të hënës rreth orës 18:45, pranë spitalit të fëmijëve në Tiranë. Viktima është Devi Kasmi, i cili më parë kishte mbajtur edhe emrin Dëfrim Kasmi, pronar i një palestre në qendër të kryeqytetit. 41-vjeçari u qëllua në trotuarin e pallatit ku banonte.

Burime në vendin e ngjarjes thanë se një person u afrua dhe qëlloi disa herë në drejtim të tij. Banorë të zonës thanë jashtë kamerave se kishin dëgjuar disa të shtëna pistolete njëra pas tjetrës. Pas krimit autori, i ndihmuar edhe nga një person tjetër u largua me motor në rrugicat e lagjes.

Në vendin e ngjarjes, policia gjeti së paku katër gëzhoja pistolete. Po ashtu dy pistoleta u gjetën jo shumë larg trupit të Kasmit. Dyshimet e policisë janë se së paku njëra prej tyre i përket viktimës. Emri i Devi Kasmit është i njohur për policinë e kryeqytetit pasi ai është dyshuar si i përfshirë në një atentat në vitin 2010.

Hetimet e deritanishme të policisë janë përqendruar vetëm në pistën e përplasjes së tij me një tjetër grup kriminal.

“Dyshimet e para të policisë bëjnë fjalë se ngjarja ka si motiv konfliktin e të vrarit dhe një grupi personash të përfshirë në trafikun e drogës në Itali dhe Francë”.

Policia ka shoqëruar menjëherë rreth 10 persona të njohur si miq të të dy palëve. Në vendin e ngjarjes ishte i pranishëm edhe Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu.  

Tv Klan