Policia ka mundur që të identifikojë autorët e plagosjes së një biznesmeni dhe një kalimtari të rastit, ngjarje e cila ndodhi gjatë orëve të para të mëngjesit në Sarandë.

Janë shpallur në këtë mënyrë në kërkim Andrea Caushi, 35 vjeç; Visi Caushi, 33 vjeç, vëllezër dhe Redjan Hadëri, 33 vjeç, të tre banues në Tepelenë. Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë plagosur me armë zjarri 35-vjeçari Spiro Iljadhi, biznesmen në qytetin bregdetar. Plumbat kanë kapur rastësisht edhe një qytetar, i cili ndodhej në Sarandë për pushime, 33-vjeçarin Marin Jano.

Policia njofton se dy të plagosurit ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Paraprakisht dyshohet se atentati ndaj të riut të jetë kryer si pasojë e një konflikti të çastit për motive të dobëta mes autorëve të dyshuar dhe Iljadhit.

Policia po punon për kapjen e tyre. Ndaj të rinjve rëndojnë veprat penale të  “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave e mbetur në tentative e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”./tvklan.al