Greta Matohiti, bashkëshortja e Mariglen Matohitit dhe njëkohësisht motra e Grid Lenos, 2 nga 4 të arrestuarit për atentatin e dështuar ndaj biznesmenit Andon Dhima, mohon që ata të kenë lidhje me ngjarjen. Duke folur për gazetarët jashtë gjykatës, ajo thotë se ka prova që si vëllai ashtu edhe bashkëshorti nuk kanë qenë pjesë e atentatit. Për vëllain pretendon se ka video që tregojnë se në momentin e atentatit ka qenë në restorantin e saj, ndërsa për bashkëshortin, shprehet se ka dëshmitarë që ai ka qenë në një ditëlindje.

“Bashkëshorti im përditë shkon tek liqeni paradite me mua, në orën 7 e gjysmë të mëngjesit dhe pasdite, rreth orës 8 bën vrap dhe ka kaluar. Prova e vetme është që ky robi ka kaluar aty dhe është parë me tuta sportive dhe e lidhin me atentatin. Vëllai im punon tek unë. Unë merrem me restorantin. Bashkëshorti im nuk mund të bëjë asnjë lloj pune sepse ne kemi një fëmijë të vogël. I bie ose do të punoj unë, ose bashkëshorti. Duke qenë se ai nuk merr vesh shumë nga restoranti këtë gjë e kam marrë unë përsipër. Dhe bashkëshorti im është gjithë kohës, sport dhe fëmijë, shtëpi-lokal, që është shumë afër. Po ta shikoni, është shumë afër si vendndodhje. Vëllai im ka deklaruar që këto gjëra nuk kanë qenë, këto mund t’i ketë vendosur edhe policia. Policia përderisa thotë që këta të dy kanë qenë bashkë kanë dalë nga makina dhe unë kam video që e vërtetojnë të kundërtën, atëherë asnjë gjë nga polica nuk është e vërtetë. Nuk kanë lidhje, thjeshtë bashkëshorti im ka kaluar dhe ka një video që ky personi ka kaluar në afërsi sepse mesa di unë kalohet tek liqeni, unë e bëj përditë vetë atë gjë”.

E pyetur nëse prokuroria dhe policia e kanë marrë videon e saj si provë, Matohiti thotë akoma jo. Ajo shprehet se pamjet do t’i shfaqë kur çështja të kalojë në gjyq.

Thotë se si vëllai ashtu edhe bashkëshorti nuk kanë asnjë lidhje me biznesmenin Dhima dhe shprehet e gatshme të takohet me të. Ajo shprehet se e mirëkupton Dhimën që ndihet i kërcënuar dhe duke argumentuar se si vëllai dhe bashkëshorti nuk kanë lidhje në atentat, Greta Matohiti shprehet se biznesmeni duhet të vijojë të ndihet i kërcënuar pasi atentatorët mund të jenë ende jashtë. Edhe sa i përket dy të arrestuarve të tjerë, Greta thotë se ata nuk kanë asnjë lloj lidhje me burrin dhe vëllain e saj.

“Nuk i njoh fare, nuk kemi lidhje fare, nuk e kuptoj përse është bërë lidhja. Nuk kanë lidhje këta me këtë biznesmenin dhe unë jam shumë e bindur. I them zotit Dhima, të lutem, nëse pranon unë me gjithë qejf mund edhe ta takoj e t’i them o zotëri ç’lidhje ke ti me këta dy persona? Ai është dhe pa faj, ai ndihet i kërcënuar, patjetër, por unë mendoj që ai akoma duhet të ndihet i kërcënuar sepse atentatorët, apo ata që pretendohet se kanë bërë atentat, sepse nuk dihet, mund t’i ketë akoma jashtë, jo brenda. Këta janë thjeshtë viktima të momentit dhe kaq, mendoj unë. Dhe jam shumë e bindur që do të dalin të gjithë të pafajshëm. Unë dua dhe kërkoj që në momentin e parë që kjo çështje do dalë në gjyq dhe këta dalin të pafajshëm, flas për dy personat që më interesojnë mua, të tjerët nuk i njoh. Ata (dy të arrestuarit e tjerë) mund të jenë ose jo të pafajshëm nuk flas dot për të tjerët. Unë di vetëm për këta të dy, burrin dhe vëllain tim. Të tjerët, absolutisht… nuk mund të them që janë fajtorë sepse dhe ata kanë një nënë, kanë njerëzit e tyre, por mund të jenë po kaq të pafajshëm sa mund të jenë këta dy të tjerët. Përderisa është bërë gjëja bashkë, siç pretendohet nga policia, ndërkohë që këta të dy ndërkohë nuk lidhje, sepse im vëlla me video me orë me datë është atje. Burri im ka dëshmitarë që ka qenë atje, në ditëlindje, tani çfarë të them unë më shumë. Këto s’janë normale. Dhe unë këtë gjë ia kam thënë policisë dhe më kanë thënë ty do të fusim në burg për moskallëzim krimi, ndërkohë që unë nuk kisha lidhje”.

Për atentatin e dështuar ndaj Andon Dhimës, mbrëmjen e 15 Tetorit në Tiranë, policia arrestoi 4 persona, Mariglen Matohitin, Enea Hoxhën, Grid Leno dhe Albin Hoxhën.

Këta dy të fundit, sipas policisë, janë personat që të maskuar e ndoqën biznesmenin nga pas me qëllim për ta ekzekutuar në hyrje të pallatit. Ndërsa Mariglen Matohiti dhe Enea Hoxha janë personat që dyshohet se ndihmuan autorët për t’u larguar.

Ishte vetë biznesmeni 51-vjeçar që denoncoi rastin në polici duke publikuar edhe pamjet e atentatit të mbetur në tentativë. 3 nga autorët janë me precedentë penalë. Grid Leno ka qenë i dënuar me 6 vite burg për vjedhje me armë në Gjermani, Albin Hoxha për plagosje me armë, ndërsa Enea Hoxha i dënuar me 4 vite e 9 muaj për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

35-vjeçarit Albin Hoxha iu gjet në makinën e përdorur në këtë ngjarje një pistoletë, si dhe municione. Policia sekuestroi edhe veshjet e përdorura nga autorët, ashtu sikurse një shkop hekuri policie, një palë pranga, 6 telefona celularë, rroba uniforme policie dhe kamuflazhi./tvklan.al