Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me atentatin ndaj kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama shkruan se është i tronditur nga lajmi i tmerrshëm i sulmit ndaj Kryeministrit. Kreu i qeverisë i uron shërim të shpejtë kryeministrit Fico.
“Jam thellësisht i tronditur dhe i pikëlluar nga lajmi i makthshëm i sulmit ndaj kryeministrit të zgjedhur në mënyrë demokratike të Sllovakisë. Roberti është një i mbijetuar i fortë dhe një mik i dashur, dhe unë shpreh urimet e mia të përzemërta për një shërim të shpejtë dhe një rikthim të jashtëzakonshëm”, shkruan Rama.
I am deeply shocked and saddened by the terrible news of the heinous attack on the democratically elected Prime Minister of Slovakia. Robert is a great survivor and a dear friend, and I extend my heartfelt wishes for a quick recovery and another remarkable comeback.
— Edi Rama (@ediramaal) May 15, 2024
Ndërkohë ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 në qendër të qytetit Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit Bratislava. Ai u qëllua disa herë me pistoletë sapo doli nga një aktivitet i organizuar nga qeveria.
Sipas dëshmitarëve të pranishëm në vendngjarje, Fico është afruar turmës së njerëzve për t’i përshëndetur dhe në këtë moment është qëlluar me 4 plumba nga një distancë e afërt.
Aktualisht kryeministri, Robert Fico ndodhet në spital dhe sipas një përditësimi në rrjetin e tij social “Facebook”, bëhet me dije se Fico është në gjendje kritike për jetën, ndërsa thuhet se orët e ardhshme do të jenë vendimtare për jetën e tij.
/tvklan.al