Një operacion i gjerë i RENEA-s dhe dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Elbasan çoi në arrestimin e dy të dyshuarve si autorë të atentatit me ekskploziv ndaj Lulzim Kullës me 13 Janar në Shkodër. Në pranga për ngjarjen ku mbetën të plagosur 8 persona u vunë Endrit Çopja 29 vjeç dhe Argel Lulaj 31 vjeç, të dy nga Elbasani.

Bashkë me ta  u arrestua edhe Serxho Teta, që dyshohet se ka fshehur prova që mund të çonin në zbardhjen e ngjarjes. Detajet mbi hetimet e deritanishme të kësaj ngjarje i dha drejtori i Policisë së Shkodrës dhe prokurori i çështjes.

 

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa celulare, 4 automjete, 2 nga të cilat janë përdorur nga autorët ditën e ngjarjes, 6 mijë euro, tre maska dhe fishekë luftarake.

Një furgon me ngjyrë të bardhë dyshohet se u përdor nga autorët për transportimin nga Elbasani drejt Shkodrës të motoçikletës që u hodh në erë me shpërthim të telekomanduar. Ajo që çoi në gjurmët e autorëve ishin pikërisht automjetet e përdorura për kryerjen e atentatit.

Njëri prej të arrestuarve, Endrit Çopja dyshohet se ishte në makinën që goditi automjetin e ish- zv/drejtorit të Policisë së Elbasanit Gjergj Oshafi më 18 Shtator të vitit të kaluar. Edhe mbrëmjen e të mërkurës të dy personat u ndaluan në ambientet e tregut Agro-Ushqimor, i cili u mbajt për disa orë i rrethuar. Pas ndalimit, dy personat u dërguan në ambintet e Policisë së Elbasanit dhe më pas në Drejtorinë e Shkodrës, ku edhe iu komunikua vendimi i masës së sigurisë arrest në burg. Në operacionin e së mërkurës policia shoqëroi edhe 12 persona të tjerë që dyshohet se mund të kenë lidhje me këtë ngjarje.

Tv Klan