Si ka mundësi që ky pa kapele nuk është identifikuar?!

Deputeti opozitar Halit Valteri publikoi këtë të enjte në Kuvend një video në të cilën sipas tij shfaqet dy autorët e atentatit ndaj Prokurorit Arjan Ndoja. Pamjet tha se i kishte siguruar nga bizneset në zonën ku ndodhi ngjarja, ndërsa nuk i kurseu akuzat ndaj Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe qeverisë për lidhje me krimin. Valteri tha se në video shfaqej Redjan Rraja, i cili ndodhet në burg dhe një tjetër person, që sipas deputetit edhe pse me fytyrën e zbuluar nuk është identifikuar nga policia. Kjo sipas Valterit bëhet qëllimisht, për të penguar zbardhjen e ngjarjes.

“A keni kërkuar këqyrjen e kamerave të sigurisë, sepse unë si një deputet kam shkuar në 3 biznese dhe kam marrë kamera sigurie. Ndërkohë që ju si polici ia lini çështjen Tiranës, ndërkohë që patrullat e Durrësit, inspektorët e Krimeve në Durrës, inspektorët e Policisë, oficerët sekretë nuk i kanë këto pamje. Zoti Ministër, këtu tregohet shumë qartë vrasësi Redjan Rraja dhe ky tjetri pa kapele nuk u gjendka. Ky me kapele gjendet, ky pa kapele nuk gjendet. Nuk e gjeni dot Zoti Ministër sepse e keni karamelen në fyt, ju dhe ata që ju kanë sjellë këtu. Sepse këtu në këtë sallë pengohet zbardhja e kësaj ngjarjeje. Nëse do të keni vullnet politik, nëse do të keni dëshirë për ta zbuluar këtë ngjarje, bëjeni dhe jepini qetësinë atyre prindërve. Nëse ju nuk doni ta zbuloni këtë ngjarje sepse keni hall se pas tyre fshihen ata që ju komandojnë juve, më vjen keq t’jua them, por do të ishte e udhës që me mirë të jepnit dorëheqjen si Ministër i Brendshëm sa mos të turpëroheni më”, tha Valteri nga foltorja e Kuvendit.

Ngjarja në fjalë ndodhi Nëntorin e kaluar pranë mbikalimit të Shkozetit, në aksin rrugor Durrës-Tiranë. Nga ky atentat mbeti i plagosur prokurori Arjan Ndoja, miku i tij Aleksandër Laho, i njohur edhe me emrin Pëllumb Muharremi, si dhe shoferi Andi Maloku, i cili ndërroi jetë pas disa ditësh në spital. I arrestuar për ngjarjen është Redjan Rraja. Ndalimi i tij erdhi pasi në makinën e përdorur nga autorët në këtë atentat, u gjet një gjurmë gishti i fiksuar në një palë syze dielli.

Në përgjigje të akuzave të deputetit, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj e ftoi deputetin Valteri që çdo provë që disponon ta paraqesë në prokurori.

“Unë besoj që ju duhet ta dini se kush është përgjegjës për hetimin, është prokuroria. Ju duhet t’i paraqisni të gjitha provat që keni në prokurori dhe t’i bëni një shërbim çështjes. Më mbetet gjithashtu të them që qoftë për rastin e Durrësit, qoftë për raste të tjera jam absolutisht i angazhuar për të kërkuar që policia të performojë, por pa u futur në detaje. Gjithë kjo punë është përgjegjësi që zgjidhet nga organet e hetimit dhe jo nga Ministri“, tha Lleshaj./tvklan.al