Policia gjen një makinë të djegur në Bërzhitë
Ky që shihni në foto është Zamir Kalemi, personi që mbeti i plagosur gjatë një atentati në zonës e Selitës mbrëmjen e së premtes. 35-vjeçari u qëllua me breshëri kallashnikovi teksa po udhëtonte me makinën e tij Smart, duke u plagosur në këmbë dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur 13 gëzhoja automatiku.
Disa minuta më vonë pas këtij atentati, një makinë tip “Nissan” u dogj në zonën e Bërzhitës. Policia dyshon se automjeti, i cili rezultonte se kishte targa të vjedhura në Tiranë të jetë përdorur për këtë atentat. Për shkak të shkrumbimit të makinës, nuk është gjetur asnjë gjurmë.
Autorët dyshohet se kanë ndjekur prej disa orësh dhe e kanë mbajtur nën vëzhgim Zamir Kalemin derisa i lanë dalë paralel në zonën e Selitës ku edhe kanë hapur zjarr ndaj tij. Sipas hetimeve, rezulton se Zamir Kalemi i ka pikasur autorët dhe ka tentuar të shpëtojë duke devijuar automjetin, ku është përplasur me bordurat ndarëse të rrugës.
Ngjarja dyshohet për hakmarrje pasi i plagosuri rezulton të jetë i afërm i Aleksandër Sadikajt. Ai mbeti i vrarë në zonën e Unazës së Madhe të Tiranës më 11 Qershor 2022 në një atentat me eksploziv që i ishte vendosur poshtë makinës Volksvagen me të cilën udhëtonte.
Zamir Kalemi është edhe vëllai i Andrea Kalemit, i cilit në Gusht të 2023 i shpëtoi një atentati me armë në Greqi, duke mbetur i plagosur rëndë. Nisur nga këto precedente, një nga pistat e hetimit mund të jetë ajo e hakmarrjes.
ATENTATI NDAJ ALEKSANDËR SADIKAJT
Ky është momenti kur makina e të riut, Aleksandër Sadikaj shpërtheu nga vendosja e një sasie eksplozivi poshtë saj. 27-vjeçari po udhëtonte në autostradën Tiranë-Elbasan, për të dalë nga kryeqyteti, kur rreth orës 14:00 të 11 Qershorit 2022 makina u hodh në erë.
Mjeti tip Golf u përfshi i gjithi nga flakët. 27-vjeçari mbeti i plagosur rëndë në gjymtyrë dhe humbi jetën pak minuta më vonë në spital. Makina shpërtheu në Unazën e Madhe të Tiranës, jo më shumë se 500 metër larg rrethrrotullimit pranë TEG, në një orar me mjaft lëvizje. Shpërthimi i fortë i shkaktoi dëmtime edhe automjetit tjetër që po lëvizte paralel me të.
Për shkak të shpërthimit në lëvizje, hetuesit dyshojnë se lënda eksplozive është aktivizuar me telekomandim. Brenda makinës së shkrumbuar të 27-vjeçarit, policia gjeti edhe një pistoletë.
Sadikaj jetonte në Berat dhe Tiranë ndërsa kishte edhe një resort me kuaj në afërsi të Tepelenës, nga ku publikonte shpesh foto në rrjetet sociale. Ai është një personazh i njohur për policinë.
Skeda e tij kriminale nis që prej vitit 2011 me grabitje, kundërshtim të punonjësit të policisë, goditje për shkak të detyrës dhe në vitin 2019 për vrasje të mbetur në tentative për një plagosje me thikë në Sarandë. Burime të policisë thonë se i riu njihej në rrugë operative si i përfshirë në fushën e narkotikëve. E shkuara e tij, por edhe konflikte të mundshme të fundit janë pistat kryesore hetimeve.
ATENTATI NDAJ ANDREA KALEMIT NË GREQI
Andrea Kalemi i njohur ndryshe dhe me emrin Adriatik, ra pre e një atentati me armë zjarri mbrëmjen e 10 Gushtit 2023 në portin e ishullit Paksos të Greqisë.
Në vendin e ngjarjes u gjetën mbi 10 gëzhoja, ndërsa autori dyshohet se është një bashkëatdhetar i tij. Për identifikimin dhe kapjen e tij policia greke ka kryer kontrolle në pjesën më të madhe të ishullit grek ku u regjistrua dhe ngjarja e rëndë.
Adriatik Kalemi u plagos rëndë dhe u dërgua për kurim në spitalin e Janinës. Media greke shkruajnë se Kalemi që prej datës 5 Gusht kishte shkuar me familjen e tij për pushime në Greqi, duke udhëtuar nga Italia. Sipas policisë, ngjarja e rëndë ka dyshime të jetë e lidhur me konflikte të së shkuarës ku 51-vjeçari mund të ketë qenë përfshirë, ose për hakmarrje.
Kalemi rezulton të jetë kushëri i parë me Aleksandër Sadikajn, të ekzekutuar në një atentat me tritol në makinë më 11 Qershor të 2022, në afërsi të zonës së Saukut në Tiranë.
Emri i Adriatik Kalemit u përmend dhe në dosjen hetimore të një tjetër ngjarje kriminale të ndodhur në vitin e shkuar, atë të vrasjes së Edmond Papës në Dhjetor të 2022 në Tiranë. Ngjarje kjo për të cilën policia ka vënë në pranga 1 nga dy autorët e dyshuar të vrasjes që dyshohet se u krye në shenjë hakmarrje për ekzekutimin e Aleksandër Sadikajt.
/tvklan.al