Policia e Shkodrës ka lënë të lirë 4 personat e shoqëruar lidhur me vrasjen e Zef Gurit dhe plagosjen e të birit Gjin Guri një ditë më parë.

Edmond Lika, i cili u shpall në kërkim si një nga të dyshuarit, ai u vetëdorëzua para autoriteteve. Pas dëshmisë që dha në polici, ku deklaroi se është i pafajshëm, ai është lënë i lirë dhe ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me atentatin.

Edmond Lika ka folur për gazetarët dhe është shprehur se në momentin e ngjarjes nuk ndodhej në Dukagjin, ndërsa thekson se albinë e tij e vërteton nga kamerat e sigurisë të ambienteve që ka frekuentuar.

Ai tregon para mediave se ka lidhje familjare me viktimën dhe të birin dhe se nuk ka informacion mbi atentatorët.

Edmond Lika: Këtë histori nuk e di as vetë unë. Kjo është histori koti për mua. Që bëhet fjalë për të më akuzuar mua për këtë punë, është kot. Jam dorëzuar vetë. Unë kam deklaruar çfarë më kanë pyetur, ja u kam deklaruar të gjitha dhe i kam krejt me fakte.

Nuk ke asnjë lidhje me vrasje?

Edmond Lika: Jo, jo, as nuk diskutohet. Me pas lidhje unë s’ka shanse hiç në botë.

Deklaruar që jeni i pafajshëm?

Edmond Lika: I pafajshëm në lidhje me atë çështje.

Ju e vërtetoni që keni qënë dje pranë Stom-Golemit?

Edmond Lika: Normal, e vërtetoj me kamera me çfarë të doni, në daç me dëshmitarë.

I keni dorëzuar kamerat?

Edmond Lika: Jo, s’kam dorëzuar se s’më kanë kërkuar kamera. Në qoftë se është e nevojshme edhe kamerat ja u dorëzoj kur të duan.

Kur ka qenë hera e fundit që keni qenë në Dukagjin?

Edmond Lika: Hera e fundit ka nja 3 muaj që kam qenë.

Për konfliktin ke dijeni?

Edmond Lika: Jo, në botë.

Babë e bir u qëlluan me armë zjarri mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Shoh të Dukagjinit.

/tvklan.al