Për eliminimin e Ermir Dedja-s, i cili u vra mëngjesin e të martës në Durrës, kanë bashkëpunuar edhe shtetas të huaj. Në këtë përfundim ka arritur grupi hetimor i policisë, të cilët kanë shpallur në kërkim dy persona, njëri prej tyre nga Maroku.

Ky i fundit dyshohet se ka sjellë në Shqipëri këtë makinë tip “Seat” një ditë para ngjarjes, e cila u përdor nga vrasësit. Ekspertët e hetimit të krimeve në Durrës, kanë arritur të lidhin pamjet e kamerave të sigurisë së portit ku evidentohet makina “Seat” që mbërriti në vendin tonë nga shtetasi maroken.

Ai është larguar nga vendi pas krimit, kur policia ende po kryente verifikimet paraprake në vendin e ngjarjes. I dyti që është shpallur në kërkim është një shtetas shqiptar i cili dyshohet se siguroi kushte të tjera për vrasësit. Edhe ai sipas policisë rezulton se ka dalë jashtë vendit, më konkretisht drejt Italisë.

Grupi hetimor është në pritje të përgjigjes së analizave nga policia shkencore për provat që gjetën dhe sekuestruan në makinën e djegur në fshatin Gërdec.

Për zbardhjen e vrasjes së 29-vjeçarit Ermir Dedja, janë duke u ndjekur disa pista. Hetuesit janë duke verifikuar tek e shkuara e të riut, për të gjetur të dhëna që mund ti ndihmojnë. Ermir Dedja rezulton personazh i njohur për policinë. në 2015-ën, u arrestua pasi i shiti drogë një grupi që synonte ta trafikonte në Kosovë. Dy vite më vonë, u arrestua sërish, këtë herë për përkrahje ndaj Ismail Nuredinit, autor i një plagosjeje në Shijak.

Klan News