Dy vëllezër kanë rënë pre e një atentati rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Peqin – Elbasan.

Klevi Baho 24 vjeç mbeti i vrarë, kurse vëllai i tij i madh Sandër Baho 29 vjeç ka mbetur i plagosur. Mësohet se 29-vjeçari ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Ai është pyetur nga grupi hetimor lidhur me rrethanat e atentatit. Mësohet se Sandër Baho nuk ka dhënë shumë detaje për hetuesit.

“Na qëlluan me armë, po shkonim për në shtëpi. Nuk kemi konflikte me njeri“, mësohet të ketë thënë 29-vjeçari.

Dy vëllezërit po udhëtonin me makinën e tyre tip Audi kur u sulmuan me armë nga persona të paidentifikuar. Ata u qëlluan me breshëri arme. Të shtënave nuk i mbijetoi dot 24-vjeçari Klevi Baho, i cili mësohet se kohët e fundit ishte kthyer nga Italia ku kishte vuajtur dënim me burg. Kurse vëllai tjetër, Sandër Baho, u plagos në shpatull.

Në vendngjarje policia gjeti të paktën 30 gëzhoja. Burime nga grupi hetimor thonë se mungesa e kamerave të sigurisë në zonë do të vështirësojë hetimin për këtë atentat. Edhe 29-vjeçari që ka mbetur i plagosur është person me precedent penal. Policia nuk ka ende një pistë zyrtare, por dyshohet se shkak i atentatit të ketë qenë larja e hesapeve. /tvklan.al