Atentati me tritol në makinë ndaj 38- vjeçarit Ervin Memo duket se i ka rrënjët tek toka e gjyshit. Të paktën kjo është pista kryesore e hetimit që ka përzgjedhur grupi hetimor në policinë e Fierit.

Bëhet fjalë për disa konflikte të hershme dhe të vazhdueshme midis familjes Memo dhe kushërinjve të tyre të largët për një tokë të trashëguar.

Nga informacionet e deritanishme që ka siguruar policia, një pronë në periferi të Fierit, një pjesë e saj e kthyer në vreshtari, familja Memo e ka trashëguar nga të parët e tyre. Por për këtë pasuri kanë pretenduar dhe pjesëtarë të tjerë të fisit.

Kjo ka shkaktuar konflikte të vazhdueshme mes palëve deri në hapjen e proceseve gjyqësore që para 15 viteve.

 Grupi hetimor ka nisur marrjen në pyetje të shumë personave, kushërinj e të njohur të Ervin Memos, por ende nuk ka arritur tek autori që vendosi eksplozivin në makinën e tij.

 38- vjeçari aktualisht është në spital jashtë rrezikut për jetën. Ai hyri në makinë për ta lëvizur atë nga parkimi dhe eksplozivi ishte në sediljen e pasagjerit.  Mjeti tip Benz kishte kohë i lënë në atë vend poshtë banesës pasi Memo e kishte nxjerrë në shitje.

 Shpërthimi që besohet se u bë me telekomandë ishte aq i fuqishëm saqë banorët e Fierit qëndruan tërë natën jashtë. /abcnews.al