Motori tip “Ducati”, me të cilin ishin atentatorët që qëlluan në drejtim të makinës “G-Class”, mbrëmjen e së enjtes, u gjet i djegur nga policia 48 orë pas ngjarjes së rëndë.

Blutë e kanë gjetur motorin e djegur, rreth 8 kilometër larg vendit ku qëlluan drejt makinës “G-Class”. Vendndodhja e motorit u zbulua nga gjurmimi i itinerarit të kamerave të sigurisë, që tregon se u arratisen përmes autostradës Tiranë-Elbasan dhe më pas u futën drejt fshatit Fikas.

Autorët dyshohet se janë ndihmuar nga persona të tjerë për t’u arratisur, çka për hetuesit është i vështirë identifikimi, për shkak të mungesës së kamerave të sigurisë.

Hetimet e policisë kanë zbuluar se autorët që kanë qenë dy persona studiuan mirë vendin ku do bënin atentatin. Burime për Klan News thonë se në orën 3 e 30 të mëngjesit të datës 17 Prill, apo 18 orë para krimit, ata kanë shkuar pranë vendit ku do të kryenin ngjarjen e rëndë për të parë se ku do të kryenin atentatin.

Nga hetimet mësohet një tjetër e dhënë, nga të shtënat që autorët lëshuan në drejtim të “G-Class”, ka marr një plumb edhe një tjetër mjet tip Ford që po lëvizte pranë vendit të ngjarjes.

Drejtuesi i saj, sapo ka dëgjuar të shtënat është larguar me shpejtësi, por një ditë më vonë është paraqitur ne polici për të denoncuar faktin. Për hetuesit ai ka deklaruar se nuk kishte arritur t’i shihte autorët, pasi çdo gjë kishte ndodhur shumë shpejt.

Grupi hetimor i policisë dhe prokurorisë vijon të dyshojë se autorët kanë ngatërruar objektiv ndaj po verifikohen disa pista. Hetuesit po thellojnë verifikimet e personazheve të botës së krimit që jetojnë pranë zonës ku ka ndodhur krimi.

Në këtë segment ku u qëlluan 4 personat lëvizin kontingjent të tjerë të botës së krimit, të cilët mund të kenë qenë po ashtu shënjestër. Një pjesë e tyre po verifikohen ku kanë qenë në momentin e atentatit, jo vetëm si shënjestër, por edhe si autorë të mundshëm.

Mbrëmjen e të premtes dy të miturit, 11 dhe 17 vjeç janë transportuar për në Itali për mjekim më të specializuar. Ndërsa 19-vjeçari dhe 34-vjeçari që ishte në drejtimin e mjetit janë në gjendje të stabilizuar.

Klan News