Policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e të premtes në fshatin Rrenxa, Bushat të bashkisë Vau i Dejës.

Policia ka shpallur në kërkim dy vëllezër me mbiemër Prendi dhe një person tjetër si autor të dyshuar të ngjarjes, banues në fshatin Rrenxa.

Mendohet se njëri prej tyre ka qëlluar nga një motor me automatik kallashnikov në drejtim të mjetit të blinduar tip Audi, ndërsa të tjerët, kanë qenë në një mjet tip BMW, që është sekuestruar nga policia.

Mjeti tip BMW është i dëmtuar edhe ai nga plumbat duke ngritur dyshime se ka pasur shkëmbim zjarri.

Është ende e paqartë se kush janë personat që ndodheshin në mjetin e blinduar të cilët pasi janë gjendur përballë kësaj prite, të cilët dyshohet se janë kundërpërgjigjur.

Policia ka ushtruar kontroll në banesën e vëllezërve Prendi, por nuk i ka gjetur.

Automjeti tip Audi që u qëllua ka qenë në ecje e sipër dhe dyshohet se personat që ndodheshin brenda po shkonin tek vëllezërit Prendi për një konflikt të dyshuar mes tyre, por janë pritur me armë zjarri.

Personat e ndodhur në automjetin tip Audi dyshohet se janë larguar me një makinë tjetër, e cila ishte në mbështetje të tyre.

Shërbimet e komisariatit të Vaut të Dejës dhe Policisë së Shkodrës janë duke vijuar punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Klan News