Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e Ferdinand Polisë në Shkodër. Policia ka pyetur dëshmitarin në këtë atentat, shokun e viktimës, Xhovan Marashi, i cili ka rrëfyer momentet e tmerrit.

“Një motor i llojit “TMAX” ngjyrë gri, na ka ardhur përballë dhe ka qëlluar në drejtim tonë. Jam ulur dhe pastaj kam dëgjuar të shtënat e plumbave në mjet. Çdo gjë ndodhi shumë shpejt. Kam parë momentet se si Nardin e përshkonin plumbat. Drejtuesi i motorit kishte skafandër të zezë.”.

Në vend ngjarje janë gjetur 20 gëzhoja, ndërsa viktima ka marrë në trup 18 plumba. Ka dyshime se për ekzekutimin e 35-vjeçarit është përdorur armë me silenciator e llojit “Skorpions”.

Për ngjarjen janë marrë në pyetje disa persona, përfshi edhe familjarë të afërm të viktimës, por të gjitha dëshmitë nuk kanë ndihmuar hetuesit.

Pasi kishte punuar për shumë vite në Itali, Ferdinand Polia sëbashku me familjen, kishin hapur një bujtinë në Theth.

Tv Klan