Policia ka dhënë informacion zyrtar për atentatin me armë zjarri të ndodhur pasditen e kësaj të premteje në Durrës. Zyrtarisht mësohet se të plagosur kanë mbetur 3 persona, në mesin e të cilëve edhe prokurori Arjan Ndoj.

Kështu, sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 16:30 në afërsi të mbikalimit të Shkozetit.

Persona të paidentifikuar hapën zjarr në drejtim të makinës Benz ku udhëtonin 3 personat në fjalë, prokurori 44-vjeçar Arjan Ndoj si dhe dy persona të tjerë, A.L., 48 vjeç dhe A.M., 30 vjeç.

Sipas policisë, 30-vjeçari është dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa dy të plagosurit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës, jashtë rrezikut për jetën.

Aktualisht, Policia e Durrësit është vënë në ndjekje të autorëve, po krihet zona dhe në të gjitha akset rrugore që lidhen me Durrësin janë ngritur pika kontrolli.

Për zbardhjen e ngjarjes është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor nga Departamenti i Policisë Kriminale, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.

Policia e Shtetit fton këdo që mund të ofrojë informacion në ndihmë të hetimit të shpejtë të ngjarjes të telefonojë falas në numrin 112./tvklan.al