Atentati në Vlorë, gazetari: 26-vjeçarit i kërkuan të dilte nga banesa



Atentati në Vlorë, gazetari: 26-vjeçarit i kërkuan të dilte nga banesa

23:10 25/05/2020

Një i ri 26-vjeçar u vra në një atentat në orët e para të mëngjesit të 24 Majit në qytetin e Vlorës. Kristian Breshanaj u ekzekutua me breshëri kallashnikovi nga persona të paidentifikuar. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 04:30 në zonën e “Ujit të Ftohtë” teksa 26-vjeçari po kthehej në këmbë për në banesën e tij. I riu u gjet i vrarë në mes të rrugës me 5 plumba automatiku.

Disa minuta pas vrasjes, policia gjeti në një nga rrugicat e lagjes “10 Korriku”, një automjet tip ‘BMW’ duke u djegur. Brenda makinës me targa greke, hetuesit konstatuan një armë zjarri kallashnikov, që besohet të jetë përdorur në atentatin ndaj Kristian Breshanaj.

Gazetari i News24, Enrik Mehmeti, i ftuar në studion e emisionit “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus, ka shpjeguar dinamikën e këtij krimi të rëndë. Sipas tij, 26-vjeçari u nxorr nga shtëpia në orën 01:00 të mëngjesit nga një person i cili i kishte shkruar në rrjetet sociale.

Enrik Mehmeti: Ka qenë diku ora 01:00 e mëngjesit kur mendohet i riu është kontaktuar në rrjete sociale dhe i është kërkuar për të dalë jashtë nga banesa.

Spartak Koka: Dihet kush është personi që e ka kontaktuar?

Enrik Mehmeti: Pikërisht kjo është edhe pika më e fortë e hetimeve që po hetohet intensivisht që ku është kontaktuar dhe si është kontaktuar. Telefoni i tij po tentohet që të zbërthehet për të parë me të gjitha mënyrat se çfarë kontaktesh ka pasur ai, por edhe kontaktet në Whatsapp dhe Facebook në kohën që ai ka qenë jashtë shtetit. Aty janë zbrazur plumba të tërë, janë zbrazur rreth 12 plumba, por në trupin e tij kanë qenë 5 goditje. Një fqinje e tyre, përveç faktit që tregonte që ishte një djalë i qetë jo problematik, por tregoi faktin që një prej këtyre plumbave ka shkuar deri tek një prej banesave të një prej fqinjëve aty. Ka rrezikuar edhe fqinjët e tjerë sepse është goditur vetëm pak metra larg hyrjes së banesës së tij.

Spartak Koka: Ka qenë një goditje në distancë apo e afërt?

Enrik Mehmeti: Sipas ekspertëve, ka qenë jo në distancë të largët.

/klanplus




Të ngjashme