Geno Lena alias Shpati Lena 37 vjeç dhe Hakim Xhezo 34 vjeç janë dy viktimat e atentatit në Vlorë pranë mbikalimit të Panajasë. Ata janë emra të njohur për policinë.

Shpati Lena është arrestuar 5 muaj më parë, konkretisht më 23 Mars 2022 në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, pasi udhëtonte makinë së bashku me 2 persona të tjerë të armatosur. Njëri nga këta ishte Ariel Kingji 21 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim prej Gushtit 2019 si një nga bashkëpunëtorët në vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj. Edhe Shpati Lena u akuzua për këtë ngjarje të Gushtit 2019, si personi që ndihmoi të fshihej Ariel Kingjin. Por gjykata e la të lirë Shpati Lenën në masën detyrim paraqitje.

(VIDEO E AKSIONIT TË POLICISË SË VLORËS NË MARS 2022 KUR ARRESTOI PËR ARMËMBAJTJE SHPATI LENËN DHE 2 PERSONA TË TJERË)

Ndërsa Hakim Xhezo 34 vjeç është vëllai i Eduart Xhezos, ky i fundit i akuzuar si autori kryesor për vrasjen e Arben Beqirajt në Gusht 2019 në Vlorë. Eduart Xhezo u arrestua në Tetor të 2019 në Durrës nën efektin e lëndëve narkotike.

Vrasja në zonën e plazhit në Vlorë në 4 Gusht 2019 tronditi vendin në kulmin e sezonit turistik. Shkaku ishte krejtësisht banal. Një person me kalë kishte kaluar në hapësirën e çadrave që menaxhohej nga viktima Arben Beqiraj. Ai u dhunua nga biznesmeni dhe djali i tij, por disa orë më pas, në lokal mbërritën 4 persona, që sipas policisë kanë qenë Eduart Xhezo, Ariel Kingji dhe 2 vëllezër.

Tentativa për t’u sqaruar ka vijuar me tone të larta derisa është qëlluar me breshëri armësh ndaj biznesmenit Arben Beqiraj i cili humbi jetën menjëherë, ndërsa djali i tij dhe një i afërm i tyre mbetën të plagosur. Eduart Xhezo, vëllai i Hakim Xhezos që u vra sot, u konsiderua si autori kryesor i ngjarjes. Aktualisht ndodhet në burg. 

Megjithatë, nuk dihet nëse vrasja e sotme e Shpati Lenës dhe Hakim Xhezos lidhet me ngjarjen e vitit 2019. Policia nuk përjashton nga hetimi as pista të tjera dhe po verifikon skedat e viktimave nëse kanë patur konflikte të tjera.

Burime nga policia thonë se Shpati Lena ishte person me precedent penal në fushën e krimit kundër personit dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike. Ndërsa Hakim Xhezo ka patur precedent penal për armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje narkotikësh. /tvklan.al