Ahmetsulaj pranon njohjen me organizatorin e vrasjes

37-vjeçari, Roland Ahmetsulaj ka mohuar kategorikisht përfshirjen në atentatin e “Don Boskos” në Janar të 2022, pamjet e së cilës Tv Klan i ka siguruar më herët.

Në këtë ngjarje u vra një person e u plagosën katër të tjerë.

Përpara oficerëve të policisë, Ahmetsulaj ka pranuar njohjen me Kevin Zenelin, që dyshohet dhe si organizator i ngjarjes që si porositës ka Kasandër Nogën.

Ky i fundit kërkonte nga Kevin Zeneli vrasjen e hasmit të tij Geron Hasanbelliu, plan ky që nuk u finalizua pasi vrasësit ngatërruan objektiv duke ekzekutuar gabimisht Erion Çelën në ambientet e një lokali.

Sipas hetimeve, Zeneli i njohur edhe me emrin Kevin Suçi në bashkëpunim me dy persona të tjerë që nuk janë identifikuar ende nga policia janë autorët e vrasjes, ndërsa janë ndihmuar nga Roland Ahmetsulaj. 

Nga të dhënat e tabulateve dhe qelizave telefonike rezulton se Ahmetsulaj, ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes, dhe ka komunikuar me Kevin Zenelin.

Krahas këtyre personave, Zeneli ka kontaktuar për kryerjen e ngjarjes dhe Ilirian Feçin dhe vëllezërit Indrit dhe Gentjan Beqiraj. Këta të fundit ishin personat që zbërthyen fillimisht ngjarjen përpara hetuesve të Policisë së Durrësit, të cilët i vunë ata në pranga në Tetor të 2022.

Pasi çështja i kaloi Policisë së Tiranës, vëllezërit Beqiraj u tërhoqën nga dëshmia dhe pjesëmarrja në krim, duke i dhënë kështu një tjetër drejtim hetimeve të ngjarjes.

Tv Klan