Viti 2018 është një vit historik sa i përket zgjidhjes për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe politika maqedonase ka përgjegjësi të mos e lëshojë këtë mundësi. Deklarata vjen nga zv/kryeministri i Maqedonisë Buja Osmani, në përfundim të takimit me ministrin grek të Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias në Athinë. Numri 2 i qeverisë maqedonase theksoi se ka vullnet të mirë nga te dyja palët për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Në një intervistë për televizionin grek, Antena, ministri Kotzias sqaroi pozitën e Greqisë rreth çështjes së emrit. Duke iu referuar përvojës së mëparshme të vitit 1995, ai tha se nëse tani do të arrihet marrëveshje dypalëshe midis negociatorëve, çështja e emrit do të vuloset, duke hedhur poshtë nevojën për referendum. Sipas kryediplomatit grek, një referendum i mundshëm në Athinë apo Shkup do ta dëmtonte marrëveshjen që pritet të arrihet.

Kotzias nënvizoi se Athina është për një emër të përbërë. Duke mos zbuluar detaje të tjera, ministri i Jashtëm njoftoi se tashmë Greqia ka një propozim dhe se këtë do t’ua njoftojë autoriteteve të Shkupit gjatë bisedimeve.

Në tryezë mbetet propozimi “Maqedonia e Re” i përmendur në mediat maqedonase gjatë ditës së hënë, ndërsa varianti “Sllavo Maqedonia” është hedhur poshtë për shkak se nuk do të ishte i pranueshëm për shqiptarët. Shefi i diplomacisë greke kujtoi edhe një herë se pa zgjidhjen e emrit Maqedonia nuk do të mund të integrohet në strukturat euro-atlantike.

Tv Klan