Plagosen dhjetë policë, arrestohen dhjetra protestues

Kryeministri i Greqisë Kyrjakos Mitsotaqis bëri thirrje për qetësi pasi 5,000 të rinj protestuan dhunshëm duke sulmuar me molotov një stacion policie në Athinë dhe plagosën dhjetë policë ndër ta, një në gjendje të rëndë.

Mitsotakis ka dënuar dhunën duke deklaruar se zemërimi i verbër nuk çon askund ndërsa këto skena të dhunës duhet të jenë të fundit.

“Duhet të reflektojmë ndaj ngjarjeve që ato të shërbejnë si një thirrje zgjimi pasi në këtë pikë të gjithë duhet të tregojnë përmbajtje dhe qetësi.”

Mitsotakis shtoi se nuk do të lejoj askënd të përçajë popullin grek. Epiqendra e dhunës ishte në rajonin Nea Smyrni, rreth 4 kilometra në jugperëndim të Athinës qendrore. Protestuesit të vetëquajtur ”anarkistë” dhe huliganë kanë paralajmëruar se do të rikthehen sërish pavarësisht apelit të Kryeministrit.

Oficeri i plagosur u zbrit me forcë nga motoçikleta e tij u tërhoq zvarrë dhe u rrah nga protestuesit. Pre e dhunës ishin edhe dhjetëra automjete që u dëmtuan nga protestues të inatosur që hodhën molotov dhe sende të forta. Protesta e paralajmëruar ka vijuar deri në orët e para të mëngjesit.

Njerëzit dolën në rrugët e Athinës në kundërpërgjigje të një video-je ku shfaqej një burrë duke u rrahur nga policia në qarkun Nea Smyrni. Protestuesit mbanin parulla ku shkruhej shkrim “policë ikni nga lagjet tona.”

Një grup tjetër protestuesish, të veshur me maska, hodhën shishe benzine dhe gurë drejt oficerëve dhe një stacioni policie. Policia u përgjigj duke përdorur gaz lotësjellës dhe ujë me presion.

Klan News