Mjafton Lorente e Suarez, kryeqytetasit mposhtin Bilbaon

Atletico Madrid ka hedhur një hap të sigurtë në garën për titull në La ligën spanjolle. Avantazhi i shpejtë i Athletic Bilbao me Muniain nuk e pengoi skuadrën kryeqytetase që të triumfojë 2-1 në takimin e prapambetur të javës së 18-të për ta dërguar në 6 pikë distancën me ndjekësit në krye të ligës.

Tentativat e shumta në portën e baskëve u konkretizuan në gol nga Markos Jorente në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë. Edhe fraksioni i dytë nisi me të njëjtin ritëm. Atletico Madrid fitoi penallti dhe nga pika e bardhë, Luis Suarez u tregua i saktë. Goli i 18-të për uruguajanin, i cili gjendet i dyti në garën për golashënues në kampionat, pas Messi me 19 gola.

“Ishte shumë e rëndësishme që të reagonim. Ajo që më pëlqeu më shumë ishte që ekipi kaloi nga një moment i keq në avantazh. Ekipi e kuptoi se nuk po merr rezultate dhe ky shpirt gare më pëlqen,” tha trajneri Diego Simeone.

Tashmë fokusi i Atletico Madrid pritet të fokusohet në Ligën e Kampionëve, ku e pret një mision i vështirë, përmbysja e disavantazhit 1-0 përballë Chelsea.

Klan News