Atmosfera e festave vjen më shpejt këtë vit



Atmosfera e festave vjen më shpejt këtë vit

16:03 21/11/2020

Psikologët: Qytetarët gjejnë lumturi në zbukurimet festive

Edhe pse jemi ende në Nëntor dhe shumë larg festës së fundvitit ashtu si Bashkia e Tiranës shumë qytetarë i kanë zbukuruar tashmë mjediset e tyre familjare duke krijuar atmosferë festive.

Në fakt tradita e do që dritat e pemës së festave të fundvitit të ndizen në 6 Dhjetor, por nevoja për të sjell më shpejt atmosferën e gëzueshme të ndërrimit të viteve, duke zbukuruar mjediset publike apo familjare sipas psikologeve ka një shpjegim.

“Përderisa qytetarët ndjejnë nevojën që t’i vendosin këto simbole të lidhura me një periudhë të gëzueshme kaq pranë vetes në një periudhë kaq para kohe me atë që njihet në mënyre tradicionale, tregon se dhe nevoja për emocionin që këto simbole përcjellin është e madhe, boshllëku shpirtëror që kanë përjetuar dhe vijojnë të përjetojnë si rezultat dhe i një ankthi të shtuar që ka muaj që na shoqëron”.

Shumë prej bashkive kanë nisur tashmë zbukurimet e mjediseve publike. Atmosfera e festave ndihet më shume se kudo tjetër në Tiranë.

Sheshi Skënderbej, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe çdo hapësirë publike është veshur me dritat shumëngjyrëshe dhe dekoret festive të Vitit të Ri.

Në Korçë disa prej mjediseve publike janë zbukuruar, ndërsa vijon puna për të ndriçuar dhe pajisur çdo shesh me bredhin festiv.

Elbasani i ka ndezur tashmë dritat e festës. Këtë atmosferë të parakohshme qytetarët e shohin në mënyra të ndryshme. Por a përmirëson zbukurimi i ambienteve gjendjen psikologjike të qytetarëve?

“Mendoj se përcjellja e këtyre simboleve na ndihmon të ndihemi më mirë emocionalisht, psikologjikisht të ndjejmë ngrohtësinë e mesazheve që vijnë përmes simboleve dhe jo më kot këngët e Krishtlindjes janë duke u përcjellë po kaq shpejt sa në vendin tonë”.

E në fakt Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë të vetmit që kanë sjellë këtë atmosferë festive të parakohshme. Shumë kryeqytete në botë kanë nisur tashmë me zbukurimin e mjediseve publike dhe miliona qytetarë në mbarë globin e kanë zbukuruar bredhin në shtëpitë e tyre.

Tv Klan




Të ngjashme