Lojtarët besojnë në rezultat ndaj Francës

Atmosfera që po kalon ekipi kombëtar i bën optimistë lojtarët për një përballje dinjitoze ndaj Francës. Futbollistët shpresojnë që në ndeshje edhe të rinjtë të japin maksimumin, ashtu si në seancat stërvitore.

“Fryma është shumë mirë. Të rëndësishme janë rezultatet. Kanë ardhur edhe lojtarë të rinj, shpresojmë të bëjmë maksimumin në këto 2 ndeshje. Luajmë kundër kampionëve të botës. Do të jetë kënaqësi për të gjithë shqiptarët të marrim një rezultat të mirë. Nuk është mirë të flasësh do fitojmë apo do humbim. Kemi fituar me Francën në shtëpi, kemi marrë dhe një barazim atje. Kemi bërë dhe humbje. T’ia lëmë ndeshjes”, thotë Odise Roshi.

Për herë të parë në Kombëtare, Klaus Gjasula ka folur pikërisht për atmosferën që ka gjetur në ekip.

“Është një kënaqësi e madhe për mua që jam këtu, e kam pritur këtë ditë shumë gjatë. Për mua do të ishte një gjë e madhe të nisja titullar, trajneri do ta vendosë dhe do ta shohim. Më pritën shumë mirë, lojtarët dhe trajneri të japin krahë, kështu që shkoi shumë mirë”.

Frederik Veseli e Ledjan Memushaj kanë shfaqur shqetësime të lehta fizike por ata janë parashikuar për të qenë titullarë. Në dy seancat e para stërvitore është vënë re që tekniku do t’i mëshojë më së shumti anës fizike të lojtarëve ndërsa nga pjesa taktike do ta bazojë lojën tek kundërsulmi.

Tv Klan